Shefi i EULEX-it i shkon në zyrë Agim Veliut

Shefi i EULEX-it i shkon në zyrë Agim Veliut

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, priti në takim Shefin e Misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark.

Në këtë takim, Veliu falënderoi misionin e EULEX-it për kontributin që e kanë dhënë në sundimin e rendit dhe ligjit, duke theksuar se në kuadër të kompetencave që ka ky mision, MPBAP do të ofrojë bashkëpunimin e ngushtë të institucioneve të sigurisë në Kosovë në koordinimin e veprimeve të përbashkëta me këtë mision.

Sipas njoftimit të MPB-së, Veliu theksoi se në bashkëpunim me misionin e EULEX-it dhe partnerët tjerë do të diskutojnë shpejt çështjen e strategjive kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe menaxhimin e kufijve të integruar dhe çështje tjera me rëndësi që do ta përmirësojnë sistemin.

Ndërsa në anën tjetër Wigemark tha se Misioni EULEX-it është i përkushtuar për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me institucionet e Kosovës, dhe gjithashtu është i kënaqur me gatishmërinë e ministrit Veliu për bashkëpunim të mëtutjeshëm.  /Insajderi.com