fbpx

Shefja e Zyrës së BE-së demantoi ministrin kosovar për vizat

Shefja e Zyrës së BE-së demantoi ministrin kosovar për vizat

Ditën që do të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, do të duhen vetëm 90 ditë pritje për liberalizimin e vizave, sipas ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Sipas Abrashit, me rëndësi isshte vetëm ratifikimi i demarkacionit.

“Besoj që i kemi votat për demarkacionin, me rëndësi me kalu demarkacioni dhe pas 90 ditëve qytetarët me lëvizë pa viza”, ka thënë Abrashi pas një mbledhjeje të mbajtur sot në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Por ende pa kaluar një ditë, ministri Abrashi, i cili është edhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, u demantua nga shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova.

Apostolova deklaroi se edhe nëse ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi në Kuvend, nuk ka garanci se do të liberalizohen vizat për Kosovën.

 

“S’ka afat të caktuar kohor, apo definitiv për liberalizimin e vizave, ne do t’ia propozojmë këshillit të shteteve anëtare, prandaj askush s’mundet të përcaktojë, cili është afati për liberalizimin e vizave. Natyrisht se anëtarët e këshillit mund të thonë jo, por e jona është që të përgatisim një rekomandim të mirë për Kosovën, pastaj është në duart e anëtarëve që të vendosin përfundimisht”, ka thënë Apostolova në një intervistë në Klan Kosova.  /Insajderi.com