fbpx

Shefqet Krasniqi & Shpend Maxhuni dhe një arsenal armesh që i bashkon

Në veturën e imamit Shefqet Krasniqi ishte gjetur një arsenal armësh, që mund të përdoreshin edhe për atentate, por ai kurrë nuk u akuzua për këtë rast. Barra iu ngarkua dy pasagjerëve të tij. Një dekadë më vonë në veturën e babait të drejtorit të AKI-së, Shpend Maxhuni e që drejtohej nga i biri i tij, u gjetën armë e pak drogë. Përgjegjësinë për to tash po e merr një kushëri i tyre. Nëse Krasniqi shpëtoi pa ferrë në këmbë, pse nuk do t’ia hedh paq edhe djali i Kryespiunit?

Shefqet Krasniqi & Shpend Maxhuni dhe një arsenal armesh që i bashkon

Në këtë kolumne më shumë do të ketë raportim, por një gjë duhet bërë e qartë: Nëse dikur një imam i shpëtoi drejtësisë pa ferrë në këmbë, pse nuk do t’ia hedh paq me të edhe i biri i Kryespiunit?

Ishte marsi i viti 2009 dhe Policia e Kosovës kishte vërejtur një veturë të dyshimtë, që më vonë doli të ishte në pronësi të hoxhës me famë, Shefqet Krasniqi. Ajo u ndal dhe la diçka në pyll, në emër të ndalesës për nevoja fiziologjike. Por e vërteta më vonë do të befasonte.

Në kallëzimin penal që e posedon Gazeta Online Insajderit, dhe pas një hetimi policor del që në veturen e imamit, më vonë i akuzuar edhe për vepra që ndërlidhen me terrorizmin dhe shpëlarje të parave me biznesin e tij, ishte një arsenal armësh. Një arsenal që mund të përdoret edhe për atentate.

Në këtë arsenal armësh ishte gjetur një pushkë e gjatë, një dylbi që shërben për tu vendosur në pushkë, një pistoletë e fuqishme TT, dhjetë fishekë dhe një “silenciator”- zhurmëmbytës që vendoset në pistoleta, kryesisht i përdorur për atentate.

Policia e Kosovës, e as Prokuroria atëherë e Qarkut të Prishtinës nuk do ta ngarkonte imamin dhe biznesmenin Krasniqi me asgjë në këtë rast. Por, dy pasagjerët e tjerë në veturën e tij do të akuzoheshin për posedim, Shaban Albry dhe Arsim Krasniqi, më vonë lider i partisë islamike “LISBA” që e ka për lider shpirtëror e themelues politikanin Fuad Ramiqi.

Kur u ndaluan nga Policia, kryetari i LISBA-s dhe Shaban Albry kishin thënë që kishin dalë për të kryer nevojat fiziologjike, derisa një raport i mëvonshëm i ADN-së konfirmoi që së paku një nga armët e kapura kishte qeliza të Arsim Krasniqit.

Policia në raportet zyrtare më vonë nuk tregon nëse kishte nxjerr informacione se çka planifikonani të bënin personat në fjalë me këtë arsenal armësh dhe se si i kishin siguruar ato armë.

Edhe njësia kundër terrorizmit në Policinë e Kosovës do ta merrte për ta këqyr këtë rast por nuk gjeti elemente terrorizimi. Krejt kjo histori përfundoi me një aktakuzë për posedim armësh pa leje kundër Albryt e Arismi Krasniqit, por jo edhe kundër Imamit Krasniqi.

Ditë më parë edhe në një veturë në posedim të familjarëve të shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Shpend Maxhuni u gjenden mjete ilegale, armë e pak drogë.

Në mbrëmjen e 12 tetorit në një veturë, pronë e Enver Maxhunit, babai i Shpend Maxhunit, e që është vozitur nga nipi i tij, përkatësisht djali i Shpendit, Shpëtimi ishte ndalur në një kontroll rutinore. Aty u gjet pak substancë që dyshohet se ishte marijuhanë dhe një revole.

Historia ndër ditët në vazhdim ka ndërruar jo pak. Pronësinë për këto mjete ilegale në veturën e babait të shefit të AKI-së që drejtohej nga i biri i  Shpendit, tash po e merr përsipër Rinor Maxhuni, që sipas “Koha Ditore” madje nuk ishte as në veturë ditën kur u kapen këto mjete.

Sipas këtij versioni pas disa ditësh Rinor Maxhuni është paraqitur në Policinë e Kosovës me “vetiniciativë” e ka pranuar se arma e gjendur në veturën që vozitej nga kushëriri i tij, Shpëtimi, ishte e tij, se e ka harruar aty. Përsipër e ka marrë edhe pronësinë e xhaketës. Siç ka raportuar gazeta, arma pa leje është gjetur në xhepin e xhaketës së Shpëtimit.

Për shefin aktual të  Policisë, Rashit Qalaj, që është pasardhësi i Shpend Maxhunit në karrigen e të parit të forcës kosovare të policisë, nuk ka fare rëndësi se kush është deklaruar pronar i asaj arme. Sipas tij, është obligim të ndiqet personi që i zihet arma pa leje, pa marrë parasysh pronësinë, e që në këtë rast i bie të ndiqet Shpëtim Maxhuni.

Juristët, rëndom thonë që nuk bënë që të krahasohen dy rate të ndryshme, por në profesionin tonë në fakt kjo edhe është esenca: ta shohim fenomenin duke i krahasuar rastet e njerëzve të pushtetshëm e të fuqishëm.

Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së do të tentojë ta vë nën përgjegjësi drejtorin e këtij institucioni, por gjasat që të dal diçka nga ky rast janë të vogla. Do të konfirmohet edhe një herë që fëmijët e të pushtetshmëve janë kryesisht të paprekshëm. Edhe kur rrasen në krime.