Një shfaqje satirike për krizën ekonomike – premierë në Teatrin e Gjakovës

Nesër në Teatrin e Gjakovës vjen shfaqja e dramaturgut Nobelist Dario Fo, nën regjinë e Hana Qenës

Një shfaqje satirike për krizën ekonomike – premierë në Teatrin e Gjakovës

Në vitin 1974, performuesi dhe dramaturgu Dario Fo dha premierën e shfaqjes së tij absurde dhe politike, S’do të paguajmë! S’do të paguajmë! Disa muaj më vonë, disa gra italiane u arrestuan për vjedhje të ushqimit prej supermarketeve.

Prokurori i rastit e ndërlidhi edhe Fo-në në gjykim si rrjedhojë e faktit që shfaqja e tij kishte një situatë të ngjashme që kishin qenë si inspirim. Fatmirësisht gjykatësi e liroi Fo-në prej përgjgjësisë nga krimi. Edhepse shfaqja ishte pothuaj dokumentareske, ajo ishte e mbushur me satirë dhe humor të hollë.

Me regjisorja Hana Qena flet rreth shfaqjes, tematikës dhe problematikave krejtësisht aktuale që trajton komedia “S’mund të paguajmë! S’do të paguajmë”, dhe inskenimit të saj në Teatrin e qytetit të Gjakovës.

“Komedia është e bazuar në ngjarje të vërtetë, ka ndodhur në Milano kur janë rritur çmimet, çka autori e ka përjetuar vetë, e pastaj e ka përpunuar në mënyrë komike historinë. Janë shtatë personazhe të cilat i luajnë shtatë aktorë nga Teatri i Gjakovës, të cilët kanë qenë shumë entuziastë dhe të gatshëm për të punuar” tregon Hana për përzgjedhjen e saj.

Aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë : Myrvete Kurtishi, Ylber Mehmeti, Vlora Dervishi, Edmond Uka, Edmond Hafizademi, Valon Pallaska dhe Muradije Muriqi.

Në rolin kryesor është Myrvete Kurtishi, ndërsa Edmond Hafizademi luan dy karaktere, është e përcaktuar prej vetë autorit, është roli i rreshterit dhe të inspektorit.

“S’mund të paguajmë! S’do të paguajmë!” është një shfaqje që I përket zhanrit komedi.

Autori I saj Dario Fo, është autori I vetëm që ka fituar çmimin Nobel për komedi dhe farsa e tij komike duket sikur është shkruar në ditët e sotme prej dikujt që ka jetuar në këtë vend.

Situata ekzistenciale të karaktereve që priren të veprojnë skajshëm dhe një ritëm e lëvizje e pandërprerë që e mbajnë ankth e gaz shikuesin janë edhe arsyeja që regjisorja Hana Qena ka përzgjedhur këtë pjesë për ta inskenuar.

“Komedia që po e inskenojmë, quhet “S’mund të paguajmë!S’do të paguajmë” trajton problematikën e klasës punëtore, në kohën kur rriten çmimet, punëtorët largohen prej punës dhe bëhet një kaos, pak a shumë i ngjashëm me atë në Kosovë, dhe amviset vendosin të mos paguajnë asgjë më shumë se sa kanë paguar më heret, në fakt ato shkojnë edhe më larg, vendosin të mos paguajnë asgjë, por t’i vjedhin produktet që iu duhen. Gjatë shfaqjes kuptohet që personazhet janë të uritur, por jo të uritur për bukë, po për dinjitet dhe respekt në shoqëri” thotë Hana Qena.

Tekstet e Dairo Fo’s janë të kuptueshme dhe janë shumë të thjeshta, me situata në të cilat mund të gjindet secili prej nesh.

“Problemin elementar në shfaqje duket se është ushqimi, në krejt shfaqjen përmendet buka, uria, por më shumë se gjithçka është të qenit i dinjtetshëm. Shfaqja tregon se si trajtohet klasa punëtore, se si ata e pësojnë të parët kur ndodhin ndryshime, sikur në këtë rast ngritja e çmimeve” shprehet ajo lidhur me mesazhin e shfaqjes.

Ajo që vlen të theksohet është qasja feministe që regjisorja ka zgjedhur t’i jap komedisë, ku dy karakteret kryesore janë gra, të cilat edhe pse nuk janë të shkolluara, janë më intelegjente se burrat, dhe janë më të prirura ta marrin inciativën dhe përgjegjësinë e mbijetesës, përderisa burrat paraqiten injorant  dhe bëhen shumë lehtë pre e manipulimeve.

“S’do të paguajmë! S’mund të pagujmë” vjen si freski në Teatrin e Gjakovës, jo vetëm sa i përket qasjes regjisorjale, por edhe si ironi ndaj një realiteti të përjetuar tashmë.

Vetëm se te komedia e Dario Fo’s klasa punëtore e cila zakonisht është e para që vuan pasojat e ndryshimeve sociale dhe ekonomike të vendit prej të cilave përfitojnë pushtetarët, arrin të ngrihet dhe rebelohet kundër sistemit, vendos të marr ligjin dhe pushtetin në dorë duke krijuar kështu një lloj anarkie në gjithë vendin.