Shifra alarmante të abortit në klinika të palicencuara

Edhe pse e drejta për abort në Kosovë është e garantuar me ligj numri më i madh i aborteve realizohet në klinika private të palicencuara. 

Shifra alarmante të abortit në klinika të palicencuara

Pavarësisht këtij rregullimi ligjor, ndërprerja e shtatzënisë në shoqërinë kosovare ende lidhet me moralin dhe nderin e gruas.

Duke pasur parasysh perceptimin e shoqërisë mbi abortin, gratë hezitojnë të shkojnë në institucione publike. Nga frika prej përjashtimit shoqëror ato zgjedhin mënyra të tjera për të abortuar të cilat nuk janë aspak të sigurta.

Edhe raportet flasin për shifra alarmante të abortit, në institucionin publik realizohet një numër i vogël i tyre. Sipas të dhënave në QKUK realizohen mesatarisht 100 aborte në vit, njofton Preportr.

Jakup Ismaili, shef i zyrës së pranimit për planifikim familjar thotë se në këtë klinikë realizohen aborte vetëm në përputhje me ligjin. Kjo bëhet në rastet kur komisioni shëndetësor vërteton se duhet të ndërprehet një shtatzëni për arsye shëndetësore të nënës ose fetusit dhe kur gruaja vendos vet për ndërprerjen e shtatzënisë gjë e cila parashihet me ligj.

Edhe pse është institucion publik, gratë për të abortuar duhet të paguajnë një shifër të caktuar të hollash. Nëse aborti realizohet me anestezion lokal çmimi që paguhet është 40 euro, ndërsa 50 euro me anestezion total.

Ndonëse flitet për numër të madh abortesh ilegale, Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë i cili është i thirrur që të bëjë monitorimin e klinikave private nuk ka bërë asnjëherë ndonjë raport që tregon për numrin e aborteve dhe kushteve në të cilat bëhen këto aborte.

Madje institucionet shëndetësore nuk mbledhin as të dhënat nga këto klinika duke pamundësuar kështu çfarëdo lloj analize apo qasje reale mbi numrin e grave që kryejnë abort në Kosovë.

“Inspektoriati Shëndetësor nuk ka kryer ndonjë monitorim tematik të veçantë lidhur me abortet. Inspektoriati ndër të tjera kryen inspektimin kur pranon ndonjë ankesë nga pacientë apo familjarë të tyre, por deri më sot gjatë inspektimeve nuk është vërejt një rast i tillë”, ka thënë Shaban Osmani, inspektor shëndetësor.

Klinikat private, qofshin ato me licencë apo jo, nuk janë zgjidhje për të gjitha gratë. Disa e kanë problem çmimin e disa të tjera nuk duan të shkojnë te mjeku për arsye të ndryshme. Shumë gra, e sidomos vajza të reja, po zgjedhin metoda të ndryshme për të kryer abort në ambiente shtëpie dhe pa ndihmën e mjekëve.

Sot këto lloj aborte janë në rënie duke pasur parasysh që në treg gjenden tableta që kanë efekt shumë më të shpejtë dhe kushtojnë fare lirë.

Tabletat Misopostrol që shkaktojnë abort, shiten jashtëligjshëm dhe mund të blihen fare lehtë pa recetë të mjekut në barnatoret që gjenden në qendër të Prishtinës. Kjo tabletë shkakton kontraksionet e mitrës dhe si pasojë vjen deri te eliminimi i frytit.

Me vetëm 0.50-0.80 euro gratë mund të blejnë këtë tabletë pa pasur asnjë rekomandim mjekësor dhe mund të realizojnë abort në ambiente shtëpie. /Insajderi.com