Shiten ilegalisht biletat e ndeshjes Kosovë – Islandë [foto]

Shiten ilegalisht biletat e ndeshjes Kosovë – Islandë [foto]

Biletat për ndeshjen kualifikuese të Botërorit “Rusia 2018” që Kosova e zhvillon ndaj Islandës në Shkodër kanë dalë në shitje në treg të zi.

Shitja në treg të zi të këtyre biletave po bëhet përmes rrjetit social Facebook. Një faqe e emëruar “Kosovë – Islandë Bileta”, është duke i shitur me çmim më të lartë biletat, krahasuar me çmimin e atyre zyrtare.

Çmimet për tribunat A shkojnë deri në 100 euro, derisa çmimi për këtë tribunë në faqen zyrtare të FFK-së është 55 euro. Derisa për Tribunat C1 dhe D4 biletat po shiten deri në 35 euro, kurse çmimi i vërtetë në faqen zyrtare të FFK-së është 15 euro, shkruan Express.

Krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ishin përfshirë në një skemë të konfliktit të interesit, e cila nxit dyshime për korrupsion, në organizimin e ndeshjes së parë të Kosovës si vendas në Shkodër, Kosovë-Kroaci.

Insajderi kishte zbuluar se FFK-ja vendosi që organizimin e ndeshjes ta bëjë kompania private “Sheshi” Sh.P.K, e cila është në pronësi të zyrtares së lartë të FFK-së, Diturie Hoxhës. Ajo mban postin e drejtoreshës për marketing dhe marrëdhënie me publikun në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Dyshime për korrupsion në organizimin e ndeshjes Kosovë-Kroaci

Insajderi kishte siguruar kopjen e kontratës së lidhur mes Federatës së Futbollit, kompanisë Sheshi Sh.P.K si organizatore e ndeshjes si dhe kompanisë “Moneta Moneygram” si distributore e biletave për ndeshjen Kosovë-Kroaci.

Kompania “Sheshi”, e zyrtares Diturie Hoxha është angazhuar për shtypjen dhe shpërndarjen e biletave tek kompania “Moneygram”. /Insajderi.com