Shitet letra në të cilën Einstein e kishte paralajmëruar nazizmin

Kur nazistët e morën pushtetin në Gjermani në vitin 1933 dhe filluan ndjekjen e hebrenjve, Einstein gjendej në botën e jashtme.

Shitet letra në të cilën Einstein e kishte paralajmëruar nazizmin

Letra e Albert Einstein nga viti 1922 në të cilën ai fliste për frikën e tij në lidhje me rritjen e antisemitizmit në Gjermani, edhe atë më tepër se një dekadë para ardhjes së nazistëve në pushtet, është shitur në një ankand në Izrael për 32.000 dollarë.

“Këtu po zihen kohërat e errëta ekonomike dhe politike, kështu që jam i lumtur që mund të iki nga gjithë kjo”, ka shkruar atëbotë fizikani 43 vjeç motrës së tij Maria pasi e ka braktisur Berlinin dhe ka shkuar në një lokacion të cilin nuk e përmend në letër, transmeton Reuters.

Einstein, i cili tre muaj para kësaj e kishte fituar Çmimin Nobel, u largua nga kryeqyteti gjerman pasi djathtistët ekstrem e kishin vrarë ministrin e jashtëm Walther Rathenau, mikun e tij i cili ishte gjithashtu hebre, pas të cilës vrasje, policia e kishte paralajmëruar se ai mund të jetë i ardhshmi.

Kur nazistët kishin ardhur në pushtet në Gjermani në vitin 1933 dhe kishin filluar ndjekjen e hebrenjve, Einstein gjendej në botën e jashtme duke dhënë mësim. Ai kishte hequr dorë nga nënshtetësia gjermane dhe më pas përfundimisht ishte vendosur në SHBA.

“Ajo çfarë është e veçantë në këtë letër është se Einstein vërtetë ka parashikuar, 10 vjet më parë, atë çfarë do të ndodh në Gjermani”, ka thënë Meron Eren, një nga themeluesit e shtëpisë së ankandit Kedem nga Jerusalemi, e cila e ka ofruar këtë letër, e të cilën e ka blerë një blerës anonim./Insajderi.com.