Shkarkohet Betim Reçica, ky është sekretari i ri i propozuar nga ministri Abdixhiku

Shkarkohet Betim Reçica, ky është sekretari i ri i propozuar nga ministri Abdixhiku

Pas shkarkimit të sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, ministri i Infrastrukturës Lumir Abdixhiku ka propozuar Izedin Bytyqin për sekretar të përgjithshëm të kësaj ministrie, shkruan Gazeta Insajderi.

Qeveria vendosi që Bytyqi, i cili ka qenë sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, të bëhet sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ndërsa dje gjatë ditës ish-sekretari, Betim Reçica, i dërgoi një kërkesë ministrit të kësaj ministrie Lumir Abdixhikut dhe kryeministrit Albin Kurti, në lidhje me anulimin e tenderit 110 milionësh për autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i bardhë.

Mirëpo kjo kërkesë e tij tashmë nuk do të merret parasysh.

Reçica, në kërkesën e tij kishte thënë se paraprakisht është e nevojshme heqja e pengesave ligjore, respektivisht marrja e një vendimi të komitetit drejtues ndërministror, për anulimin e tenderit 110 milionësh për autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë. Ndërsa kishte vazhduar duke u shprehur se zyra e tij si dhe departamentet përgjegjëse të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit janë të gatshëm të veprojnë në anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit menjëherë pas marrjes së një vendimi nga ana e komiteti drejtues të ministrave në lidhje me aktivitetin e apostrofuar.

Por, këto tashmë kanë rënë në ujë.

Përveç Reçicës, kryeministri Kurti, ka vendosur t’i shkarkojë edhe pesë sekretarë të tjerë.

Sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme Fitim Sadiku, sekretari i Teknologjisë dhe Inovacionit Hajriz Koci, sekretari i ministrisë së Financave dhe Transfereve Naim Baftiu, sekretari i ministrisë së Administratës Publike Arton Berisha dhe sekretarja e ministrisë së Investimeve Strategjike Shyhrete Gosalci, janë zyrtarët të cilët janë shkarkuar sot nga kryeministri Albin Kurti.

E gjithë kjo u bë gjatë mbledhjes së Qeverisë, ku në kuadër të shkarkimit hyjnë ministritë e prekura nga riorganizim dhe kalojnë në listën tepricë sipas legjislacionit në fuqi. / Insajderi.com