Shkon në 80 numri i të vdekurve nga zjarret në Kaliforni

Shkon në 80 numri i të vdekurve nga zjarret në Kaliforni

Përderisa qindra familje po presin në agoni për të marrë ndonjë lajm për fatin e anëtarëve të tyre të zhdukur, zyrtarët amerikanë kanë bërë një parashikim të tmerrshëm. Ata thonë se zjarret nuk e kanë djegur ende as gjysmën e sipërfaqes që pritet të përfshihet nga flakët.

Prej kur shpërthyen zjarret, në Kaliforni janë djegur më shumë se 9700 shtëpi dhe janë konfirmuar 80 raste të vdekjeve. Autoritetet kanë parashikuar që zjarri nuk do të shuhet tërësisht deri më 30 nëntor. “Është e jashtëzakonshme, diçka e tillë nuk ka ndodhur më parë. Nuk jemi përballur asnjëherë me kaq shumë shkatërrim dhe kaq shumë vdekje”, tha një zyrtar policor.

Disa të evakuuar janë duke qëndruar te familjarët dhe miqtë e tyre. Të tjerët po qëndrojnë nëpër tenda që janë ngritur nëpër parkingje. Ky zjarr tashmë është regjistruar si zjarri më vdekjeprurës dhe më shkatërrues në histori të Kalifornisë. Ekipet e shpëtimit janë duke kontrolluar nëpër gërmadhat e shtëpive të djegura. Shumë prej tyre i hanë humbur edhe shtëpitë e veta dhe po kontrollojnë nëpër shtëpitë e fqinjve për ndonjë mbetje të trupave.

Përderisa kërkimi për të zhdukurit po vazhdon, mijëra zjarrfikës po përpiqen që ta mbajnë zjarrin nën kontroll. Llogaritet se deri tash është shuar 65% e zjarreve. Në anën tjetër, numri i saktë i personave të zhdukur nuk po mund të përcaktohet. Thuhet se në listën e të zhdukurve mund të ketë shumë njerëz që janë në vende të sigurta e të cilët nuk e dinë se janë duke u kërkuar nga ekipet e shpëtimit, shkruan “CNN”.