Shoferi i autobusit të aksidentuar në Kroaci kishte thënë se diçka e shqetësoi gjatë vozitjes

Shoferi i autobusit të aksidentuar në Kroaci kishte thënë se diçka e shqetësoi gjatë vozitjes

Shoferi i cili dyshohet se shkaktoi aksidentin fatal me autobus një javë më parë në Kroaci, në asnjë moment nuk ka thënë në Polici se e kishte zënë gjumi, transmeton Insajderi.

Gazeta kroate “Jutarnji List”, e ka siguruar jozyrtarisht deklaratën e dhënë në Polici nga shoferi D.L – 52 vjeçar.

Sipas mediumit kroat, ai kishte thënë se diçka e shqetësoi gjatë vozitjes dhe për këtë arsye ai doli në trotuar ku u aksidentua autobusi.

10 persona vdiqën në aksidentin e autobusit të linjës Frankfurt-Prishtinë, përfshirë njërin nga shoferët dhe nëntë pasagjerë të cilët ishin nisur për në Kosovë.

Në këtë aksident ku ishin të përfshirë 69 persona, prej të cilëve mbi 40 kanë marrë lëndime trupore.

Shoferit D.L. i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

“Vetëm pasi të lexohet tahografi do të jetë e mundur të përcaktohet nëse shoferët e autobusit të vdekjes, njëri prej të cilëve vdiq në aksidentin që ndodhi pranë Slavonski Brod, ishin në përputhje me të gjitha rregullat e punës. Siç zbuluam jozyrtarisht, në një deklaratë në Polici, e cila u dha pa avokat dhe e cila gjithsesi nuk është provë në procedurë, shoferi D.L. (52) nuk tha në asnjë moment se e kishte zënë gjumi, por se diçka e pengoi drejtimin e tij dhe se ai u drejtua kah trotuari. Sidoqoftë, një dëshmitare, e cila u pyet në Slavonski Brod të martën gjatë hetimeve emergjente, tha në dëshminë e saj se dy shoferët kishin vozitur në rrugën Frankfurt – Prishtinë për të paktën 15 vjet”, thuhet nga ‘Jutarnji List’. /Insajderi.com