Shoqata e Bankave dënon ashpër sulmin ndaj automjetit që transportonte para

Shoqata e Bankave dënon ashpër sulmin ndaj automjetit që transportonte para

Shoqata e Bankave të Kosovës ka dënuar ashpër sulmin me armë zjarri ndaj automjetit që po transportonte paratë e bankave të enjten në magjistralen Prishtinë – Gjilan, njofton Insajderi.com.

Përmes një komunikate, kjo Shoqatë ka kërkuar nga organet kompetente zbardhjen e rastit si dhe identifikimin e sa më të shpejtë të kryerësve të kësaj vepre.

“Shoqata e Bankave të Kosovës reagon pas sulmit të armatosur që ka ndodhur sot në orët e pasdites ndaj automjetit transportues të parave në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

Shoqata e Bankave të Kosovës e dënon sulmin ndaj transportuesit të mjeteve financiare dhe kërkon zbardhjen e rastit nga organet kompetente të sigurisë si dhe identifikimin sa më të shpejtë të kryerësve të kësaj vepre dhe sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë”, thuhet në reagim.

Tutje, Shoqata kërkoi nga Policia e Kosovës që të ketë kujdes të shtuar lidhur me krijimin e një klime dhe një ambienti sa më të sigurt.

“Vlerësojmë se situata e deritanishme e sigurisë ka qenë e qetë, megjithatë ky incident i sotëm tregon rëndësinë dhe nevojën që institucionet e sigurisë të jenë vigjilente në këtë fundvit, pasi që rastet e sulmeve të tilla kanë prirje të rriten në prag të festave të fundvitit. Me qëllim të krijimit të një klime dhe ambienti sa më të sigurt, konsiderojmë se është e nevojshme që të ketë kujdes të shtuar nga Policia e Kosovës”, njofton tutje Shoqata.

Ndryshe, pasditen e së enjtes, në fshatin Parallovë, në magjistralen Prishtinë – Gjilan, disa persona të armatosur kanë sulmuar me armë zjarri një automjet që po transportone para./Insajderi.com