Shpallen të pafajshëm 12 të akuzuarit për rastin “Veteranët”

Shpallen të pafajshëm 12 të akuzuarit për rastin “Veteranët”

Të gjithë 12 personat e akuzuar në rastin “Veteranët” janë liruar nga aktakuza në procesin gjyqësor që është mbajtur sot, njofton Insajderi.

Të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Rreth dy vjet më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Të gjithë këta ishin anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88,769,217.04 euro. /Insajderi.com