Shpend Ahmeti tregon nëse do t’i bashkohet LDK-së

Shpend Ahmeti tregon nëse do t’i bashkohet LDK-së

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka hedhur poshtë mundësinë e kalimit të tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës duke i dhënë fund spekulimeve në rrjetet sociale ku ishte proklamuar se i është bashkangjitur kësaj partie, transmeton Insajderi.

Ai ka treguar se ka kohë që i ka ndarë rrugët me Partinë Socialdemokrate pasi politikat e tij nuk përkojnë me ato që kërkohen nga ta.

“Nuk e besoj. Nuk ka pasur asnjë diskutim, nuk e kam folur me askënd. E kam parë që po shkruajnë nëpër rrjetet sociale. Unë jam i orientimit të majtë. Përderisa Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e krahut të djathtë, unë s’mund të jem pjesë. Orientimi ideologjik e bënë të pamundur”, ka thënë Ahmeti në ATV.

Ai ka shtuar se me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun janë miq, por se nuk pajtohen ideologjikisht.

“Por, kjo nuk do të thotë që ne s’mund të bashkëpunojmë. Nëse nuk kandiditoj për kryetar të kryeqytetit, siç janë gjasat më të mëdha, unë do të pensionohem nga politika”./Insajderi.com