Shpend Ahmetit i “kushton shtrenjtë” mbledhia private për ditëlindje, gjobitet nga policia

Shpend Ahmetit i “kushton shtrenjtë” mbledhia private për ditëlindje, gjobitet nga policia

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka treguar se mbrëmë është gjobitur nga Policia e Kosovës për grumbullimin e rreth 15 personave me rastin e festimit të ditëlindjes së tij, njofton Insajderi.

Ahmeti në llogarinë e tij në Facebook ka treguar se ende pa filluar festën dikush kishte njoftuar policinë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës për mbajtjen e, siç e quan ai, “Dasmës”.

“Ende pa filluar dhe rreth orës 20 (dy orë para orës policore) kanë ardh tre kerre të policisë dhe 2 të Avuk të cilët më kanë thënë se dikush ka lajmëruar dasëm” ka shkruar Ahmeti.

Ai ka treguar se ka kërkuar nga policia që të gjobitet edhe ai dhe të gjithë të ftuarit për mosmbajtje të disatancës dhe maskave me nga 35 euro.

“Mua mbledhia private më kushtoi më shtrenjtë, por rregullat vlejnë edhe për kryetarin pa marr parasysh se a pajtohem me masat apo jo”, ka shtuar ai. /Insajderi.com