Shpërndau gënjeshtrën për Xhamajkën, Presidenti Thaçi thotë se u njoftua nga Vlora Çitaku

Shpërndau gënjeshtrën për Xhamajkën, Presidenti Thaçi thotë se u njoftua nga Vlora Çitaku

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është njoftuar nga Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, për njohjen e Kosovës nga shteti i Xhamajkës – lajm i cili u demantua nga Ministria e Jashtme e Xhamajkës.

Zyra e Presidentit të Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim, ka nënvizuar se Ambasadorja Çitaku e ka dërguar të njëjtin njoftim edhe tek Zyra e Kryeministrit, Albin Kurti, si dhe tek Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është njoftuar mbrëmë zyrtarisht nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës. Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit të Kosovës, shkruan Insajderi.

Duke tentuar të heq përgjegjësi nga vetja, Zyra e Presidentit ka thënë se për detaje të tjera lidhur me këtë çështje “luteni t’i drejtoheni” Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Presidenti këtë njoftim e ka bërë publik përmes profilit të tij në Twitter. Për informacione tjera, luteni t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Presidencës.

As Bekim Çollaku, këshilltari i Presidentit Thaçi, nuk arriti të shpjegojë mënyrën se si arriti njohja e proklamuar e Kosovës nga Xhamajka.

Të premten, në një prononcim për Insajderin, Çollaku tha se nuk kanë parë notë verbale lidhur me “njohjen” nga Xhamajka dhe se i mbetet MPJ-së ta vërtetojë nëse ka ndodhur njohja saktë apo jo.

“Unë nuk kom pa notën verbale edhe i takon Ministrisë së Punëve të Jashtme që me kontaktu Ministrinë e punëve të Jashtme të Xhamajkës dhe me vërtetu së pari a ka ndodhur njohja saktë apo jo dhe se dyti a ka arritur nota verbale”, ka thënë Çollaku për Insajderin.

Ministrja për Punë të Jashtme e Xhamajkës, Kamina Johnson-Smith, e mohoi lajmin për njohjen e Kosovës nga Xhamajka të premten.

Ajo, përmes një postimi në Twitter ka reaguar ndaj postimit të presidentit Thaçi, duke thënë se Xhamajka nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Deri më tani Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si shtet i pavarur”, shkroi Johnson-Smith. /Insajderi.com