Shpërthen eksplozivi pranë një lokali në kryeqytetin shqiptar

Shpërthen eksplozivi pranë një lokali në kryeqytetin shqiptar

Një sasi eksplozivi është vënë në hyrje të një lokali gjatë natës pranë  kopshtit botanik, ku fatmirësisht janë shkaktuar vetëm dëme materiale, në Tiranë

Sasia e ekplozivit është vënë rreth orës 23:55 minuta në rrugën “Shyqyri Brari” në lokalin në pronësi të shtetasit Muhamet Hoxha. Lënda shpërthyese ishte vendosur në shkallët e lokalit. Pas shpërthimit, fatmirësisht janë shkaktuar vetëm dëme materiale, tek dera e lokalit dhe tek tenda.

Në kohën e shpërthimit, lokali ka qenë i mbyllur dhe nuk ndodhej asnjë person, ndërsa mëngjesin e kësaj të shtunë, bari është hapur si çdo ditë. Policia e mbërritur në vendngjarje mblodhi të dhënat e para që pritet të çojnë në zbardhjen e ngjarjes, ndërsa për këtë rast po hetohen disa pista, mes tyre ajo e konfliktit.

Forcat e policisë kanë marrë në pyetje pronarin e lokalit, ndërsa kanë sekuestruar disa pamje filmike me shpresën se gjatë analizimit të tyre, mund të identifikojnë autorin e këtij krimi.