Shpëtohet nga policia Luani i Fierit me sy të nxirë

Shpëtohet nga policia Luani i Fierit me sy të nxirë

Policia e Shtetit është mobilizuar për të shpëtuar kafshët e një kopshti zoologjik privat në Fier, pasi luani me sy të nxirë bëri xhiron e botës me fotot e shkrepura nga reporterët e “Daily Mail”, të cilët e quajtën “Kopshti zoologjik i Ferrit”.

“Daily Mail” gjithashtu raportoi se kafshë të tjera si zebra, një ari apo një ujk i dobët, jetojnë të izoluar dhe pa ushqim në këto kafaze, në kopshtin zoologjik privat në Fier.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Turizimit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Ai me anë të një statusi në Facebook ka treguar se ka urdhëruar urgjentisht nisjen e një aksioni nga Inspektorati i Mjedisit, i cili në bashkëpunim me Policinë e Fierit dhe Shoqatën për Mbrojtjen e Kafshëve kanë vendosur të zhvendosin kafshët me qëllim marrjen e tyre në mbrojtje nga kjo e fundit.

Postimi i plotë i Klosit:

Në përgjigje të lajmit të publikuar në Daily Mail dhe dhjetëra mesazheve për situatën e papranueshme, ku jetojnë disa kafshë në një kopësht zoologjik privat në Fier, urdhërova urgjentisht nisjen e një aksioni nga Inspektorati i Mjedisit, i cili në bashkëpunim me Policinë e Fierit dhe Shoqatën për Mbrojtjen e Kafshëve kanë vendosur të zhvendosin kafshët me qëllim marrjen e tyre në mbrojtje nga kjo e fundit.
Aksioni do të vijojë edhe nesër deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj ngjarje të turpshme!
Faleminderit për çdo mesazh tuajin!