Shpronësimi i shtëpive të ndërtuara për një vit në Shipitullë do të arrijë në 20 milionë euro

Shpronësimi i shtëpive të ndërtuara për një vit në Shipitullë do të arrijë në 20 milionë euro

Paralajmërimet e institucioneve janë se Kosova ka rezerva minimale të qymyrit, të cilat sigurojnë energji elektrike vetëm edhe dy javë.

“Kolapsin” energjetik po e shkakton vonesat në shpronësimi i pronave dhe shtëpive të ndërtuara së fundmi në Shipitullë të Obiliqit.

Insajderi ka siguruar fotografi nga qershori i vitit 2014 kur në Shipitullë kishin qenë më pak se 40 shtëpi. Në atë kohë i tërë shpronësimi siç kishte llogaritë qeveria do të kushtonte 5 milionë euro.

Por vetëm një vit më vonë në gusht të vitit 2015, sipas fotografisë së siguruar nga Insajderi në këtë zonë të shpallur zonë e rëndësisë së veçantë, është shtuar dukshëm numri i shtëpive të reja, me qëllim përfitimin e kompensimit nga shteti.

Tash vlera e shpronësimit pritet të arrijë në 20 milionë euro.

Paralajmërimet se vetëm edhe dy javë ka rezerva për prodhimin e energjisë kanë bërë që drejtori menaxhues i KEK, kryeministri Mustafa dhe banorët e kësaj pjese të reagojnë.

Ata ia kanë hedhë fajin njëri tjetrit për situatën e krijuar.

Naim Krasniqi, përfaqësues i banorëve të fshatit Shipitullë, ka thënë për Insajderin se e gjithë kjo bllokadë ka ardhur nga vetë drejtori i KEK-ut, i cili sipas Krasniqit ka mundësuar ndërtimin e shtëpive të reja duke e kontraktuar një kompani e cila favorizon shtëpitë spekulative.

“Gjuka e ka kontraktuar një kopani private dhe krejt kjo kompani e ka blloku së pari janë lejuar me u ndërtuar nja 150 shtëpi spekulative, ajo kompania që është kontraktuar kinse për vlerësim dhe kinse me standarde evropiane, i ka favorizuar ndërtuesit spekulativ ndërsa i ka shkel banorët që kanë qenë aty të vërtet”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka ka thënë se i tërë problemi që mund të qoj në kolaps energjetik është i lidhur me 8 shtëpi  pa leje të cilat janë ndërtuar në zonën ku planifikohet të bëhet nxjerrja e thëngjillit.

“Bëhet fjalë për pjesën e parë emergjente ku janë shtëpi të ndërtuara në mënyrë ilegale. Të gjitha ato zhvillime kanë ndodhur pasi Zona është shpallur si zonë me interes nacional. 8 shtëpi që janë ndërtuar nga persona për të përfituar po e rrezikojnë kolapsin energjetik”, ka thënë Gjukaj.

Kurse kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e fundit të Qeverisë kishte paralajmëruar humbjet që do t’i shkaktonte Kosovës mos-shpronësimi i banorëve.

Mustafa kishte thënë se për shkak të vonesave të shpronësimit nga çmimin rreth 5 milionë euro tani llogaritet se do t’i kushtojë KEK-ut rreth 15 milionë ose 20 milionë euro.

“Do të dëmtohemi materialisht, sepse ka pasur vonesa të mëdha dhe në vend që neve shpronësimi atje të na kushtojë rreth 5 milionë euro, tani për tani llogaritet se do t’i kushtojë KEK-ut rreth 15 ose 20 milionë euro, për arsye se janë lejuar ndërtime pa leje në atë pjesë të shumë shtëpive që s’jeton askush, por çështjet do të zgjidhen nga ata që merren me drejtësi dhe nga ne nga procedurat ligjore, sepse jashtë tyre nuk mund të veprojmë”, kishte deklaruar kryeministri Mustafa. /Insajderi.com