Shqelma, grushte dhe mashtrim – pesë muajt e tmerrshëm të gruas nga Gjilani që burri e detyroi të abortonte fëmijën

Historia e pesë muajve të fundit të gruas A.R. nga Gjilani është një histori dhune, presioni e mashtrimi. Prej muajit shtator të vitit 2018, bashkëshorti i saj, Sh.H., me dashje dhe me qëllim ushtroi dhunë psikologjike dhe fizike ndaj saj - e cila ishte shtatzënë. Ai kishte arritur ta detyronte gruan e tij që të abortonte fëmijën në muajin e pestë të shtatzënisë.

Shqelma, grushte dhe mashtrim – pesë muajt e tmerrshëm të gruas nga Gjilani që burri e detyroi të abortonte fëmijën

Për rreth pesë muaj, 28-vjeçari nga Gjilani, Sh.H., ushtroi presion, dhunë dhe e kanosi bashkëshorten e tij, A.R. e cila ishte shtatzënë. Sh.H. nuk dëshironte që bashkëshortja e tij të lindte fëmijën, teksa pesë muaj pas shtatzënisë e kishte detyruar partneren e tij të abortonte jashtëligjshëm.

Nën dyshimin se Sh.H. kreu veprat penale të “Shtytjes në Kryerjen e Veprës Penale Ndërprerja e Palejuar e Shtatzënisë” dhe “Shtrëngimit”, Policia e Kosovës e ka arrestuar atë të martën në Gjilan.

Gazeta Insajderi ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit të Sh.H dhe sjell historinë e pesë muajve të fundit të bashkëshortes së tij, që përshkruhet me histori dhune, presioni e mashtrimi.

Prej muajit shtator të vitit 2018, Sh.H. me dashje dhe me qëllim ushtroi dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij e cila ishte shtatzënë.

28-vjeçari kishte tentuar që fillimisht me mirësjellje ta bindë bashkëshorten e tij që të abortojë, por viktima ishte e bindur dhe dëshironte të mbante fëmijën. Pasi ajo nuk i ishte bindur urdhrave të tij, Sh.H. kishte përdorur dhunë dhe forma të presionit psikologjik për ta detyruar viktimën të abortojë.

Ai e kishte rrahur bashkëshorten e tij tri ditë para Vitit të Ri, më 28 dhjetor të 2018-s. E kishte shqelmuar në stomak dhe e kishte goditur me grushte në fytyrë, me çrast si pasojë e presionit viktima ishte detyruar të vepronte në kundërshtim me vullnetin e saj dhe kishte shkuar në Shkup për të abortuar fëmijën jashtëligjshëm.

Në kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, në detaje theksohen edhe dyshimet e bazuara që ka ngritur Prokuroria ndaj Sh.H..

“Që nga muaji shtator 2018 e deri më datë 21.01.2019, i pandehuri me dashje dhe me qëllim të ushtrimit të pushtetit, kontrollit dhe ndikimit në vullnetin e lirë të vendosjes së të dëmtuarës bashkëjetueses së tij A.R, ka ushtruar dhunë në familje, duke e shtrënguar gjatë tërë kësaj periudhe në vazhdimësi, që përkundër vullnetit të saj, nën përdorimin e dhunës psikologjike dhe presionit si dhe forcës fizike të veprojë në kundërshtim me vullnetin e saj dhe të kryej abort të fëmiut të tyre”, thotë Prokuroria.

Me detyrimin për të abortuar fëmijën, Sh.H. kreu veprën penale të “Shtrëngimit”. Mirëpo, veprimet e kundërligjshme të 28-vjeçarit nuk ndaluan me kaq. Ai dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale të shtyrjes në kryerjen e veprës penale Ndërpreja e Palejuar e Shtatzënisë.

Ekziston dyshimi i bazuar se Sh.H. tentoi që të bindë bashkëshorten e tij, A.R. që të abortonte duke tentuar ta mashtronte.

“Sh.H. ka ushtruar dhunë në familje, duke e shtyer me forma të ndryshme të ndikimit psikologjik dhe forcës fizike për ta bindur të ndërmarr një vendim që as nuk i kishte shkuar ndërmend për të abortuar fëmijën e tyre që as shumë e dëshironte e dëmtuara, në atë mënyrë që fillimisht përpiqet ta bind me  mirësjellje që ta abortojë fëmijën se më pas do t’i ofrojë një jetë më të mire”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, dhe më pas vazhdon:

“Më pas tenton ta bind të dëmtuarën me anë të mashtrimit dhe sjelljes në lajthim se ajo nuk mund ta rris një fëmijë e vetme dhe do të turpërohet në të kundërtën ai do ta lë dhe nuk do të interesohet për fëmijën me pas duke shfaqur kinse shenja dyshimi për atësinë e tij”.

Pas tre muajve tmerri që kishte përjetuar, A.R. kishte vendosur që të largohej nga i pandehuri duke shkuar tek familja e saj, mirëpo ai përsëri kishte vazhduar t’i bënte presion të forma të ndryshme me qëllim që ajo të abortonte fëmijën.

“Vazhdon duke i bërë presion në forma të ndryshme të abortojë fëmijën sa që më datë 21.01.2019 arrin ta bind të marrë vendim dhe përkundër vullnetit të saj e bind të shkojë në Shkup/Maqedoni për të kryer abortin e foshnjës në muajin e pestë të shtatzënisë”, thekson Prokuroria, duke u bazuar në kallëzimin penal ndaj Sh.H..

Prokuroria Themelore e Gjilanit ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Gjilanit që të caktojë masë paraburgimi ndaj të dyshuarit Sh.H., ngase ka thënë se dyshohet se në veprimet e të pandehurit qëndrojnë të gjitha tiparet e veprave penale e që karakteristike e tyre është dashja e kryesit të shkaktojë frikë dhe pasiguri për jetë ndaj të dëmtuarës.

“Prokuroria me rastin e paraqitjes së kërkesës për caktimin e paraburgimit vlerësoi edhe të gjitha masat tjera alternative, mirëpo konsideron se të njëjtat nuk do të arrinin efektin e dëshiruar në këtë fazë të procedurës, për shkak se për veprën penale dhe kryerësin janë filluar hetimet sipas aktvendimit, ku pritet të merren prova konkrete për zbardhjen në tërësi të çështjes prandaj edhe masat e tjera alternative do të pamundësonin një hetim të drejtë”, ka thënë Prokuroria.

Gjykata Themelore në Gjilan pritet që nesër të marrë vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin. /Insajderi.com