fbpx

Shqetësuese: Në çdo raport 24 orësh të policisë, raportohet për dhunë ndaj grave

Shqetësuese: Në çdo raport 24 orësh të policisë, raportohet për dhunë ndaj grave

Dhuna ndaj grave në Kosovë tashmë është bërë e “zakonshme”. Kjo dëshmohet edhe nga raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës. Në, pothuajse çdo raport ka raste të dhunës në familje, me theks të veçantë të dhunës ndaj grave. Gratë kryesisht janë cak i sulmit fizik nga bashkëshortët, baballarët e fëmijët e tyre.

Insajderi ka ananlizuar raportet e javës së fundit, në secilin prej tyre ka pasur raste të dhunës ndaj grave.

Me datën 14 prill në Komunën e Fushë Kosovës e Ferizajt u raportua për dy raste të dhunës familjare. Në të dy rast gratë ishin pre e sulmeve fizike nga burrat e tyre, shkruan Insajderi. Për rastin në Fushë Kosovë madje nuk ishte raportuar as për të arrestuar, përderisa në rastin në Ferizaj, i dyshuar është arrestuar një ditë më vonë, me 15 prill.

Me 12 prill në Komunën e Prizrenit, sërish një grua sulmohet fizikisht nga bashkëshorti. Viktima kishte pranuar trajtim mjekësor. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit, ishte dërguar në mbajtje.

Me 11 prill në Prishtinë, sërish një grua ishte sulmuar nga bashkëshorti pas një mosmarrëveshje, përderisa viktima po pranonte tretman mjekësor, i dyshuari ishte arrestuar, por me urdhër të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.

Përveç rasteve të shumta të dhunës së bashkëshortëve ndaj grave të tyre, ka raste kur fëmijët rrahin nënat.

Një rast i tillë ndodhi me datën 10 prill në Gjakovë. Një nënë sulmohet nga djali i saj. E njëjta kishte pranuar trajtim mjekësor. Përderisa, i biri i ishte dërguar në mbajtje.

Me 9 prill në Prishtinë një grua raporton në Policinë e Kosovës se është keqtrajtuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, përderisa me vendimin e prokurorit, i dyshuari pas arrestimit është dërguar në qendrën e mbajtjes.

Me 8 prill sërish në Komunën e Gjakovës, një tjetër grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti.

Me 6 prill në kryeqytet, gruaja sulmohet fizikisht nga bashkëshorti, e njëjta pranon tretman mjekësorë, i dyshuar arrestohet me 15 prill dhe dërgohet në mbajtje.

Sipas statistikave zyrtare, vetëm një në dhjetë gra arrijnë ta denoncojnë dhunën në polici dhe kjo vjen kur ka arritur fundi i durimit, pas një kohe të gjatë të ushtrimit të sulmeve fizike ndaj tyre. Ka raste, kur gratë raportojnë dhunën por në fund tërheqin padinë.

Sipas Policisë së Kosovës, 628 raste të dhunës ndaj grave janë shënuar vetëm gjatë periudhës Janar-Qershor të 2018-s në Kosovë.

Në gjashtë mujorin e parë, qershori kishte prirë për nga rastet e dhunës ndaj grave, me gjithsej 122 raste.

InDoks vitin e kaluar ka publikuar dokumentarin “Shteti që vret gra” si një hetim mbi dhunën ndaj grave. Mbi dështimin e drejtësisë kosovare për të dhënë drejtësi për rastet e grave. Mbi implikimin e institucioneve në këtë krim, shkruan Insajderi.com