Shqipëria miqësore ndaj Katarit

Shqipëria zyrtarizon miqësoren e dytë, përpara startit të Euro 2016 në Francë ndaj Katarit. Ndeshja është përcaktuar të luhet më 29 maj, në Kapfenberg të Austrisë.

Shqipëria miqësore ndaj Katarit

Testi cilësohet mjaft i rëndësishëm për trajnerin Gianni De Biasi, për të vlerësuar gjendjen e lojtarëve dhe përcaktuar mënyrën sesi Shqipëria do të luajë në debutimin historik në finalet e Kampionatit Evropian, njofton Supersport.

Kjo do të jetë përballja e dytë në histori ndërmjet Kombëtares kuqezi dhe Katarit. Ndeshja e mëparshme është luajtur më 22 Maj 2012, sërish në një fushë neutrale në Madrid, raporton Insajderi.

Ajo miqësore, që ishte ndeshja e dytë e De Biasit në stolin e Shqipërisë, përfundoi me fitoren 2-1, pas golave nga Elis Bakaj dhe Erjon Bogdani.

Katari ka bërë hapa gjigant në këto vitet e fundit, e tashmë pozicionohet e 78-ta në renditjen botërore të FIFA-s, ndërsa kulmi i futbollit për vendin e vogël nga Lindja e Mesme pritet të jetë organizimi i Botërorit 2022.

Miqësorja me Katarin është e dyta e përcaktuar zyrtarisht nga Federata Shqiptare e Futbollit, pas ndeshjes së 26 Marsit kundër Austrisë.