“Shqipëria në fokus” udhëton në Panairin e librit në Vjenë

“Shqipëria në fokus” udhëton në Panairin e librit në Vjenë

Agron Tufa, Arian Leka, Ilir Ferra dhe Lindita Arapi janë autorët që do udhëtojnë për në Panairin e Librit që do të organizohet në Vjenë.

Panairi do të mbahet në data 8-9 nëntor, ku letërsia shqipe do të shkojë në moton “Shqipëria në fokus“.

Eseisti i mirënjohur Arian Leka paraqet fragmente tekstesh dhe tregon për zhvillimin e ri letrar në Shqipëri dhe jetën letrare në Tiranë. Agron Tufa prezanton tekste të reja dhe flet për trashëgiminë e vështirë të Shqipërisë dhe sfidat për punonjësit e kulturës në vendin e tij. “Nga Durrësi në Vjenë”, shkrimtari shqiptaro-austriak Ilir Ferra paraqet një tekst të ri rreth pritjes së refugjatëve hebrenj në Shqipëri. Lindita Arapi lexon pjesë nga romani i saj i cili ka fituar disa çmime “Vajzat me çelës në qafë”, i botuar edhe në gjermanisht “Schlüsselmädchen” dhe bisedon me moderatoren rreth imazhit të Shqipërisë në botën gjermanofolëse, raporton Kultplus.com

Kjo pjesëmarrje mbështetet nga TRADUKI i cili është një rrjet evropian për letërsinë dhe librat, ku marrin pjesë vende të Evropës dhe të rajonit juglindor të Evropës, i cili mbështetet shkëmbimin letrar nëpërmjet një programi përkthimesh nga letërsia, libra eseistikë si dhe libra për fëmijë e të rinj.

Diskutimet moderohen nga kuratorja austriake dhe njohësja e mirë e letërsisë shqiptare, Annemarie Türk.