“Shqiptarët të unifikohen në mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe themeluesve të saj”

“Shqiptarët të unifikohen në mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe themeluesve të saj”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëherit kandidati i kësaj partie për kryeministër të vendit, Enver Hoxhaj, ka thënë se faktori shqiptar duhet të unifikohet për të mbrojtur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe themeluesit e saj, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për media, këtë deklaratë Hoxhaj e ka bërë gjatë vizitës së tij në Tiranë ku u prit nga kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, me të cilin kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rajon.

“Ne jemi të sigurtë se kryetari jonë i partisë, presidenti i Republikës dhe të gjithë të tjerët që janë në Gjykatën Speciale do të dalin faqebardhë. Por, mbështetja politike dhe morale nga i gjithë faktori shqiptar ka qenë e rëndësishme për Kosovën. Si dy shtete, për këtë temë është mirë të kemi një qëndrim si Kosovë dhe Shqipëri, sepse lufta e drejtë UÇK-së e ka ndryshuar rrjedhën e historisë shqiptare”, ka thënë Hoxhaj duke shtuar se “Në historinë e krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës, emrat e Kadriut dhe Hashimit janë prej emrave më të spikatur”.

Ndërsa, Veliaj është shprehur se kryeqyteti shqiptar është i gatshëm për të ngritur fonde për mbrojtjen e ish krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Ju jap garancinë time se Tirana, si kryeqytet i të gjithë shqiptarëve, do ta mbështesë këtë kauzë në të gjitha nivelet dhe kapacitetet e saj. Nëse është e nevojshme edhe në mbledhjen e fondeve por edhe në çfarëdo nevoje tjetër që mund të paraqitet gjatë rrugës. Kjo nuk është kauza vetëm e Kadriu apo Hashimit, kjo është kauza e të gjithë shqiptarëve.”, ka thënë ai./Insajderi.com