Shqiptaro-amerikanët e ftojnë edhe njëherë Kurtin në takim virtual

Shqiptaro-amerikanët e ftojnë edhe njëherë Kurtin në takim virtual

Shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ftuar edhe njëherë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, të marrë pjesë në një takim virtual të organizuar.

Një grup i shqiptarëve në SHBA po organizojnë një takim virtual përmes “ZOOM”, ku të ftuar janë liderët institucional dhe figura tjera me influencë – dhe do të diskutohet pozicioni i shqiptarëve para takimit me Serbinë më 4 shtator në Uashington.

Në këtë takim virtual ishte ftuar edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, por ky i fundit e kishte refuzuar ftesën me arsyetim se nuk dëshiron ta legjitimojë Qeverinë e Hotit dhe delegacionin e tij në këtë takim, pasi Kurti këtë Qeveria e cilëson “ilegale”.

Por, ka ardhur edhe një ftesë tjetër nga ky komunitet, Uk Lushi, e ka ftuar edhe njëherë publikisht Kurtin që të marrë pjesë në këtë bashkëbisedim

“Shumë shqiptarë të Amerikës punuan shumë këto ditë dhe nesër mbahet Takimi Zoom mes grupit nismëtar riorganizativ të shqiptaro-amerikanëve dhe liderëve të Kosovës. E ftoj publikisht edhe kryetarin e VV-së Albin Kurti të jetë me ne.  Shqiptarët dinë të bashkohen dhe bashkëbisedojnë kur interesat tona vitale janë në pyetje”, ka shkruar ai në Facebook. /Insajderi.com