Shtatë vjet dialog – Marrëveshje “të ngrira” dhe frikë nga stërzgjatja e tij

Shtatë vjet dialog – Marrëveshje “të ngrira” dhe frikë nga stërzgjatja e tij

Entuziazmi i fillimit të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, i nisur shtatë vjet me parë, ka ardhur duke u zbehur derisa në dhjetë vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ekziston frika e ndarjes së territorit përmes idesë së “shkëmbimit të territorit”.

Ndërkohë që është ndjerë edhe nevoja për riformatim të tij, ndoshta edhe përfshirjen e dy shteteve të fuqishme ShBA-s dhe Rusisë në të.

Nisi si dialog teknik i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, në mars të vitit 2011, ndërsa pas dy vjetësh u ngrit në nivel politik. U arrit edhe një marrëveshje e madhe në prill të vitit 2013, por deri tash nga dialogu ka pasur progres të dobët. Ndërsa një numër i marrëveshjeve të arritura në Bruksel kanë mbetur të ngrira.

“Ndarja e territorit”

Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialog me Serbinë ka deklaruar se ndarja e Kosovës është vetëm një iluzion.

“Idetë hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës, duke tentuar ndarjen e Kosovës, janë vetëm një iluzion i Serbisë që asnjëherë nuk mund të realizohen”, tha Tahiri.

“Ndarja edhe pse herë pas herë është përmendur nga individ të caktuar nuk është opsionale dhe nuk do të ndodhë”, tha Nenad Rasic, politikani serb dhe ish-ministër i qeverisë së Kosovës.

Për më tepër Rasic tha se “rrethanat politike prezantojnë një formë të tillë çfarë është pa ndarje pavarësisht që disa politikanë e shprehin qëndrimin e tyre personal por kjo nuk ka ndonjë peshë në krejt dialogun”.

Analisti Shkëlzen Maliqi, deklaroi se ngrirja e marrëveshjes së krijimit të asociacionit, e arritur gjatë diagolgut politike, ka hyrë në listën e çështjeve që kushtëzojnë marrëveshjet e mëtutjeshme dhe marrëveshjen finale mes dy palëve, dhe e tërë kjo sipas tij mund të përfundoj me zgjidhjen e tyre “në paket”.

“Kosova nuk do ta procedojë jetësimin e Asociacionit për derisa nuk hiqet bllokada e krijimit të armatës së Kosovës. Janë edhe disa çështje tjera statusore që hyjnë në këtë listë”, tha Maliqi.

Fika e “Palestizimit” të dialogut Kosovë-Serbi

Shkelzen Maliqi, tha se palët në bisedime tani duhet të kërkojnë një “marrëveshje historike” në të kundërtën sipas tij do të humbet orientimi duke u bërë sikur në rastin e Palestinës.

“Ashtu siç kanë kaluar pothuajse pesë vjet negociata politike në Bruksel, 10 apo 20 ose më shumë vitet do të kalojnë dhe ndërkohë që Kosova do të ballafaqohet me shumë pengesa, ndërsa Serbia gjithashtu nuk do të jetë në gjendje të arrijë qëllimet e saj strategjike, siç është integrimi i saj në BE “, tha Maliqi.

Nenad Rasic, tha se për shkak të kësaj dinamike, dialogu edhe mund të kaloj si në rastin e bisedimeve Izrael-Palestinë.

“Dialogu mund të zgjatet unë jam për dialog por zbatimi i asaj që arrihet ka më shumë rëndësi. Dialogu duhet të ketë epilog, epilog duhet të jetë zbatimi i marrëveshjeve”, tha Rasic.

Dështimi i dialogut teknik

Gjatë fazës së dialogut teknik u arritën 23 marrëveshjet ndërmjet palëve. Përfshirë temat si dogana dhe menaxhimi i kufijve, liria e lëvizjes për njerëzit, kthimi i regjistrimi civil dhe të dhënat kadastrale në Kosovë, njohja reciproke e diplomave universitare etj.

Nenad Rashiq, konsideron se marrëveshja më e suksesshme e arritur në këtë dialog ishte ajo mbi lirinë e lëvizjes.

Çdo qytetar që mban një lëtërnjoftim të Kosovës mund të udhëtojë në ose përmes Serbisë dhe gjatë kontrollit kufitar merr një dokument me të dhënat dhe kohëzgjatje e qëndrimit.

Ndërkaq të tjerat sipas tij nuk e kanë lehtësuar fare jetën e qytetarëve.

“Përveç marrëveshjes së lirisë së lëvizjes, nuk kam parë asnjë rezultat tjetër të prekshëm”.

Maliqi thotë se pas kaq vitesh dialog më shumë ky proces më shumë i ngjanë dështimit sesa suksesit.

“Janë gjetur zgjidhjet parimore ose kompromise për disa cështje praktike, por njëkohësisht kanë ndodhur edhe vonesat dhe neglizhencat, në mos edhe bojkotimet dhe kushtëzimet e marrëvrshjeve të arritura, gjë që ka rezultuar me ngecjen e procesit,që tani, gati pesë vite pas marrëveshjes më shumëe bënë t’i ngjajë dështimit sesa suksesit”, tha Maliqi.

Ndërkaq kryenegociatorja Edita Tahiriështë e kënaqur me rezultatet e dialogu brenda Kosovës dhe në arenën ndërkombëtare.

“Pavarësisht se nuk është pranuar lehtë dhe madje ende ka një prirje për të mos njohur rezultatet, faktet dëshmojnë se Dialogu i Brukselit ka forcuar sovranitetin e shtetit të Kosovës në planin e brendshëm dhe të jashtëm”, tha ajo.

Kalimi në dialogun Politik

Në mars të vitit 2013 me nënshkrimin e marrëveshjes politike mes dy vendeve, Kosova e Serbia u zotuan të mos bllokojnë njëra-tjetrën integrimin evropian.

Ndërsa me marrëveshjen e arritur në gusht të vitit 2015, u pajtuan që të krijohet asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe të integrohen të gjitha strukturat ekzistuese në institucionet e Kosovës.

Kjo marrëveshje nuk është ratifikuar ende në Parlament, pasi që partitë opozitare në atë kohë e kundërshtuan fuqishëm atë, madje edhe duke hedhur gaz lotsjellës për të penguar mbajtjen e seancave lidhur me këtë çështje.

Nga ana tjetër Serbia ka sfiduar integrimin e Kosovës në disa organizma ndërkombëtare si UNESCO dhe Interpol.

Por Rashiq thotë se nga marrëveshjet e arritura në Bruksel pak dihet se cka është arritur për shkak se jepen informatat të pakta e të ndryshme mes paleve.

“Në fund të fundit as shqipatrët as serbët e Kosovës nuk e dinë sakt se cka po bisedohet dhe cfarë marrëveshje po arrihen pasiqë pas cdo takimi dalin të dyja palët me deklarata të ndryshme nga njëri tjetri”, tha Rasic.

“Një zgjidhje përfundimtare e dialogut”

Parlamenti i Kosovës, në koordinim më shtete perëndimore, e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Që nga ajo kohë vendi është njohur nga më shumë se 110 anëtarë të OKB-së, duke përfshirë edhe të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, me përjashtim të Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros.

Kosova pret fundin e dialogut me njohjen e shtëtësisë së saj nga Serbia. Kjo e fundit kërkon në vazhdimësi që mos ti vihet kusht njohja e Kosovës në kërmbim të antarësimit në BE.

Shkëlzen Maliqi, thotë se duhet një paqe e qëndrueshme në Ballkan.

“Për mendimin tim, njohja mes dy shteteve dhe integrimi i Kosovës dhe gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor i shërben paqes së qëndrueshme në rajon, prandaj edhe dialogu duhet të përfundoj sa më shpejt me njohjen mes dy shteteve, sepse kushti i fqinjësisë së mirë duhet të plotësohet për tu bërë antare e BE-së”, tha Maliqi.

Ndërkaq për ish-kryenegociatoren Edita Tahiri, dialogu është zhvilluar nga dy shtetet që janë të pavarura dhe duhet të përfundojnë më njohjen reciproke.

“Paqja dhe fqinjësia e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm me njohjen reciproke mes dy shteteve. Kjo është në interes të dyja shteteve, por edhe në interes të paqes dhe stabilitetit në mbarë rajoni e Ballkanit, dhe të Evropës në tërësi”, tha Tahiri.

Intervistat janë realizuar për Agjencinë Spanjolle të Lajmeve, ndërkaq në këtë artikull botohen më gjerësisht.