Shtëpia e të moshuarve pa autoambulancë

Shtëpia e të moshuarve pa autoambulancë

63 të moshuar, që jetën e kalojnë në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, shoqëri të vetme kanë mërzinë e ngushëllim të vetëm kanë kujtimet.

Megjithatë, ata kërkojnë që shteti t`i ketë parasysh që së paku t`u ndihmojë me një autoambulancë ngase nuk mund të vizitohen tek mjekët.

Taibe Vitia, 76 vjeçe, tash e tri javë ka probleme me frymëmarrje. Në mungesë të përkujdesjes familjare, ka 11 vjet që për të përkujdesen në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë. Por në mungesë të autoambulancës, ajo nuk ka mundësi të bëjë kontrollet e duhura te mjeku, ndërsa ilaçet duhet t`i blejë vetë.

“Jemi në vështirësi nxor për një makine për të  shkuar nëpër spitale, makine nuk po kemi, që tri javë jam në pushim mjekësor, nuk po mundem të shkoj në kontroll, se makine s’po ka, barnat po duhet me i ble, nuk po kam me çka t’i blej, kam problem me frymën duhet me shkuar në kontroll po s’po mundem kështu veç po duhet me ble barna. Kur s’po ka barna këtu po duhet t’i paguajmë vet”, tha Taibe Vitia,banore e shtëpisë së të moshuarve.

Kërkesë për autoambulancë ka edhe vetë drejtoresha e kësaj shtëpie.

“Kemi nevojë për një autoambulancë për klientë që të jetë më e përshtatshme për transportin e tyre, kur kemi nevojë t’i transportojmë në QKUK dhe në qendrat e mjekësisë familjare ”, tha drejtoresha Raza Aliçkaj.

Përballë ankesave të kësaj kategorie, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka zgjedhur heshtjen. Sidoqoftë, 63 banorët e kësaj shtëpie qe jetën e kalojnë këtu, merren me punë dore, disa shikojnë televizor, e disa të tjerë shfrytëzojnë parkun për ndonjë shëtitje.

Njëra prej tyre është edhe Razie Fanaj e cila është vendosur në këtë shtëpi, dy muaj më parë. Mes lotësh tregon se sa vështirë e ka t`i kalojë ditët, pasi i vdiqën të gjithë të afërmit.

“Babën nuk e kam, më ka vdekur, nëna më ka vdekur, edhe motra dhe një vëlla e kom pas, unë jam pa askënd. E martuar kamë qenë, por nuk më ka gëzua zoti me fëmijë nuk e kam askënd”, tha Fanaj.

Ani pse është e kënaqur me përkujdesjen në përgjithësi në këtë shtëpi të të moshuarve, Shejnaze Salihu lutet që askush të mos ketë fatin e tyre.

Në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë, janë të akomoduar 63 persona. Prej tyre 37 gra dhe 26 burra.

Shërbimet në shtëpinë e të moshuarve janë 24-orëshe, ndërsa kapaciteti i saj është deri në 100 persona. Të punësuar në këtë shtëpi janë 55 persona, përfshirë shërbimin social, shëndetësor, dhe atë të kuzhinës./RTK