Shteti do të paguajë vizitat familjare për të akuzuarit e Gjykatës Speciale vetëm për ata që e gëzojnë me ligj statusin e familjarit

Shteti do të paguajë vizitat familjare për të akuzuarit e Gjykatës Speciale vetëm për ata që e gëzojnë me ligj statusin e familjarit

Ministri i Drejtësisë, Selim Selmi, ka përgënjeshtruar lajmin se shteti do të paguajë edhe për vizitat e lidhjeve jashtëmartesore përtej familjarëve për të akuzuarit potencialë nga Gjykata Speciale, njofton Insajderi.

Në një posti në Facebook, Selmi ka sqaruar se për cilat kategori është e rregulluar me ligj mbështetja financiare e shtetit për të burgosurit potencialë nga Gjykata Speciale.

Selimi deklaroi se “sipas legjislacionit në fuqi, përcaktohet se bashkësia jashtëmartesore është marrëdhënie faktike midis burrit dhe gruas të cilët jetojnë në çift dhe si e tillë kjo bashkësia, është e barabartë me statusin martesor andaj edhe ligji e njeh si familje”.

Më pas, Selmi sqaroi se njohja si familje edhe e lidhjeve jashtëmartesore vjen si pasojë e traditës shoqërore të shqiptarëve ku martesat janë bërë pa u zyrtarizuar si të tilla, dhe ekzistojnë akoma në shoqërinë tonë.

Ky vendim mbështetet në nenin 39 të Ligjit nr. 2004/32, ne paragrafët 1 dhe 2, ku familjen e përcaktojnë si në vijim:

(1) Bashkësia faktike (Bashkësia jashtëmartesore) konsiderohet marrëdhënia faktike midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët që paraqet një veçori stabiliteti dhe vazhdueshmërie.

(2) Bashkësia faktike (Bashkësia jashtëmartesore) është e barabartë me statusin martesor nga aspekti i të drejtave dhe detyrimeve për përkujdesje, mbështetje financiare reciproke, dhe të drejtat pasurore ashtu siç është specifikuar në këtë ligj./Insajderi.com