Shteti heq lëndën e historisë nga shkollat profesionale

Nxënësit në shkollat e mesme teknike profesionale nuk do të mësojnë lëndën e historisë. Ndërsa ata në gjimnaze do të kenë më pak orë, përpos drejtimit shoqëror. Kjo ka shokuar profesorët e kësaj lënde dhe studiues të historisë. Dikush këtë vendim e lidh edhe më kërkesën e Turqisë për përmirësimin e teksteve shkollore.

Shteti heq lëndën e historisë nga shkollat profesionale

Është 63 vjeçar, dhe pas dy vitesh do të dalë në pension. I pasionuar pas historisë, ai ligjëron këtë lëndë me dekada.

Në një të hënë të zakonshme, ditë mësimi, Nazmi Gashi hynë në njërën nga klasat e 11-ta në shkollën teknike “Fehmi Lladrovci” në Gllogoc.

Mësimi i ditës: “Ripushtimi serb i Kosovës dhe lufta për çlirim e bashkim kombëtar, 1918 1925”.

Por Gashi nuk do të ketë më mundësi që të ligjëroj lëndën e historisë në klasat e 10-ta të kësaj shkolle.

Asnjë nga kolegët e Gashit nëpër shkollat profesionale apo teknike nuk janë të angazhuar me klasat e 10-ta.

Lëndën e historisë do ta mësojnë vetëm nxënësit që tashmë janë në klasat e 11-ta në këto shkolla. Heqje të orëve të kësaj lëndë janë bërë edhe në drejtimet natyrore  në gjimnaze.

“Për mua është e papranueshme që ka ndodhur, por janë në pushtet dhe janë në gjendje t’i bëjnë të gjitha. Edhe nëse është automekanik duhet ta dijë historinë e popullit të tij”, thotë Gashi.

vendimi1

Drejtori i kësaj shkolle, Gani Krasniqi ndanë të njëjtin mendim. Kundër kësaj është edhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”.

Drejtori i shkollës teknike “Fehmi Lladrovci” thotë se “Ministria e Arsimit e ka hequr lëndën e historisë për klasat e 10-ta, por nuk e di se për çfarë arsye”.

“Por shumica e orëve të historisë në shkollën tonë janë hequr ndërsa në gjimnaze janë pakësuar”, thotë Krasniqi.

Përpos druajtjes se nxënësit e shkollave teknike mund të mbesin pa dije për historinë e vendit të tyre, ai ka edhe një drojë tjetër: mësuesit e historisë në këto shkolla, vitin e ardhshëm mund të mbesin pa punë.

“Profesorët e historisë, kanë marrë lëndën e Edukatës Qytetare. Sivjet nuk ka mbetur pa punë por nëse vazhdon kështu ka rrezik të mbeten edhe pa punë”, thotë Kransiqi.

Për këtë çështje nuk ka koment të qartë as Ministria e Arsimit.

vendimi2

“S’ka të bëjë më përmbajtjen e librave të historisë por me kurrikulën”

Por në Ministrinë e Arsimit japin përgjigje të zgjeruara në lidhje me atë se përse është marrë ky vendim.

Ata nuk kanë komentuar faktin se përse është larguar kjo lëndë nga shkollat profesionale por potencojnë faktin se “lënda e Historisë nuk është larguar nga të gjitha shkollat e mesme”

Japin sqarime sesi në gjimnazet shoqërore-gjuhësore kjo lëndë mësohet në klasat 10-ta, 11-ta dhe 12-ta me nga dy orë në javë teksa në drejtimin natyror kjo lëndë do të mësohet vetëm në klasën e 10-të, me nga 2 orë në javë.

Me kurrikulen e vjetër numri i orëve të historisë ka qenë dyfish më i madh edhe në gjimnaze.

vendimi3

“Para vitit 2013, lënda e Historisë është përfshirë njëjtë, në profile të caktuara të Gjimnazeve. Pra lënda nuk është hequr pa ndonjë arsye mirëpo i është përshtatur profilit të caktuar të gjimnazit”, thotë në përgjigjen e saj zyra e informimit në Ministrinë e Arsimit, duke iu përgjigjur Insajderit.

Insajderi ka pyetur Ministrinë e Arsimit nëse heqja e lëndës së historisë në shkollat teknike ka të bëjë edhe kërkesën e Turqisë për përmirësimin e gjuhës ndaj Perandorisë Osmane.

vendimi4

Libri i klasës së 10-të ka përmbajtje pikërisht për këtë periudhë historike.

Profesori i historisë në shkollën teknike në Drenas, Nazmi Gashi hedh dyshime mbi këtë çështje. Thotë se është ankuar edhe në drejtori të arsimit për të kërkuar një sqarim. Nuk ka marrë përgjigje.

As drejtori i shkollës nuk ka marrë përgjigje për këtë çështje.

Në Minsitrinë e Arsimit thonë se largimi i lëndës së historisë në shkollat profesionale nuk lidhet më kërkesën e Turqisë për përmirësimin e teksteve shkollore që lidhen me Perandorinë Osmane.

“Kjo deklaratë dhe këto prononcime nuk qëndrojnë aspak. Në fakt këto tregojnë sesa pak profesionist janë ata që kanë deklaruar kështu duke e ditur se pikërisht në këto komuna ekzistojnë të dy profilet e gjimnazeve dhe ndarja e orëve ka qenë pikërisht në bazë të kërkesave dhe nevojave të paraqitura nga vet shkollat e mesme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

Por drejtori i shkollës teknike në Drenas thotë se kurrë nuk kanë bërë kërkesë të tillë.

permbajtja3

 

Këtë e mohon edhe drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, ani pse ajo pajtohet me faktin se sistemi edukativ i shkollimit parauniversitar në Kosovë ka nevojë për përshtatje me nevojën e tregut të punës.

Por për dallim prej Gllogovcit ku shkolla është ankuar për heqje të lëndës, në Prishtinë kjo nuk ka ndodhur. Së paku, jo zyrtarisht.

“Jo sa duhet, arsimtarët ankohen privatisht, por si shkollë jo. Është edhe njëfarë hutie. Është një proces që ka filluar shpejt dhe në numër të madh të shkollave”, ka thënë Nagavci.

Pa histori dhe pa vende pune

Lidhur me kërkesën e Turqisë, në Ministrinë e Arsimit thonë se nuk ndërlidhet me numrin e orëve dhe planin mësimor për lëndë të ndryshme.

“Çështja e përmirësimit të teksteve shkollore, duke përfshirë edhe tekstet e historisë, janë pjesë e reformës kurrikulare që nënkupton edhe përmirësimin e teksteve ekzistuese dhe gradualisht edhe përgatitjen e teksteve të reja siç kërkon kurrikula e re”, thonë Ministria e Arsimit për Insajderin.

Sipas tyre, që nga fillimi i mandatit të Qeverisë në dhjetor të vitit 2014 kjo çështje as që është diskutuar dhe nuk ka lëvizur asgjë në këtë drejtim.

“Kemi bashkëpunim korrekt reciprok me Republikën e Turqisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Por në Institutin e Historisë “Ali Hadri” thonë se kanë informacione që janë bërë lëvizje ne këtë drejtim.

“Nëse nuk gaboj, autorët e librave janë thirr për konsultimet dhe janë bërë disa ndryshime të vogla. Janë evituar disa fjalë por nuk ka diçka zyrtare”, ka thënë Gjon Berisha, sekretar në Institutin e Historisë.

permbajtja2

Berisha ka marrë pjesë edhe në ekipin e hartimit të kurrikulave për shkollat fillore.

Heqjen e lëndës së historisë në shkollat teknike sipas tij është një lajm shqetësues.

“Si studiues i historisë është shqetësuese largimi i lëndës, prej shkollës teknike por edhe për cfarëdo shkolle tjetër. Nxënësit tanë po e përfundojnë shkollën pa e mësuar historinë ndërsa dhe kjo nuk bënë të lejohet”, ka thënë Gashi për Insajderin.

Ai ka mohuar nëse Instituti është kontaktuar për të marrë ndonjë rekomandim për këtë vendim.

“Nuk e kanë marrë asnjë rekomandim nga ana jonë dhe ne as që jemi të informuar për këtë çështje”, ka thënë Gashi.

Për drejtoreshën e arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, profesorët e historisë nëpër shkollat profesionale e kanë hallin e tyre, punësimin.

permbajtja3

“Punësimi i disa individëve nuk ish dashtë me qenë problem për zhvillim të shoqërisë dhe gjeneratave të reja”, ka thënë Nagavci.

Ajo thotë se zbatimi i kurrikulave të reja është bërë duke marrë vendime të nxituara  dhe nuk është pilotuar aq shumë.

“Kur fillon diçka e re, pilotohet dhe pritet të shihet ndikimi e tek masandej me e vendos për të gjitha shkollat. Kjo tek ne, po bëhet shumë shpejt dhe pa menduar mirë”, ka thënë Nagavci.

Në Ministri janë optimist se kurrikula e re do të jap rezultate të mira, njashtu sikurse largimi i lëndës së historisë nga shkollat teknike që sipas tyre pritet të lehtësojë procesin e mësimnxënies.

“Por populli që e harron historinë e vet, është i dënuar t’i përsëritet”, thotë profesori i historisë në Gllogoc.