Shteti i papërgatitur për trajtimin e të kthyerve nga zonat e luftërave në Lindjen e Mesme

Shteti i papërgatitur për trajtimin e të kthyerve nga zonat e luftërave në Lindjen e Mesme

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Menaxhimin e Konflikteve “PartnersKosova”, ka thënë se që nga viti 2016 janë duke punuar për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ri-integrimin në arsim dhe shoqëri, njofton Insajderi.

Siç bën të ditur ajo për KP, nuk kanë qenë të gjitha kapacitetet profesionale në dispozicion për ri-integrimin si duhet të këtyre personave.

“Çfarë ne si organizatë gjatë vlerësimit në terren kemi hasur ka qenë ajo që mes arsimtarëve, punëtorëve social, psikologëve dhe niveli qendror dhe atë komunal, ka qenë një mungesë e informacionit të duhur. Natyrisht si gjithkund tjetër nëpër botë është goditur popullata nga ky fenomen, meqenëse është i vështirë ende kërkon ngritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e kapaciteteve… (04:24) Një kategori që kujtoj që ka mbetur margjina janë gratë e kthyera nga zonat e luftës. Kujtoj që këtyre grave ka nevojë që t’u jepet hapësira, të krijohen mundësitë që ato të jenë në kontakt më shumë me faktorët relevantë. Dhe që të thyhet muri ndarës në mes këtyre grave dhe faktorëve që punojnë në këtë fushë”, shton Gashi.

Sipas saj, kategori shumë e ndjeshme janë edhe fëmijët të cilët po ballafaqohen me vështirësi të gjuhës.

Vebi Mujku nga Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale, thekson se me kthimin e tyre, të njëjtit ishin mbajtur vetëm për 72 orë në Vranidoll. Kjo tregon sipas tij, se institucionet nuk ishin të përgatitur si duhet për rikthimin e tyre, ndërsa problemi më i madh ai thotë se është tek shërbimet sociale.

“Fëmijët janë ende me trauma, traumat pothuajse në vazhdimësi përsëriten. Sepse ata kanë qenë pjesë e ngjarjeve të tmerrshme që i kanë parë atje, dhe shërbimet sociale në përgjithësi në Kosovë nuk janë të përgatitura për trajtimin e tyre dhe për ofrimin e shërbimit psikologjik edhe shërbimeve tjera sociale që kanë nevojë. Në ndërkohë Kosova ka vënë në fuqi Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve. Dhe në kuadër të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve është definicioni ‘fëmijë në rrezik’, që edhe këta i takojnë kësaj kategorie, i përcakton edhe disa definicione të tjera të cilat drejtpërdrejt i prekin këta fëmijë. Mirëpo, çfarë është shumë me rëndësi edhe tash pas 1 vit e gjysmë të miratimit të ligjit në Kuvend, ku është paraparë themelimi i disa këshillave, komiteteve, ekipeve të cilat duhet të punojnë me këta fëmijë. Dhe të hapet një shtëpi për qëndrim ditor, asnjëra nuk ka arritur të bëhet deri më tani. Dhe kjo ka penguar shumë në riintegrim dhe rehabilitim të fëmijëve”, thekson ai. /Insajderi.com