Shteti nuk informon rreth 10 mijë personat e shurdhër për masat anti-COVID’19

Shteti nuk informon rreth 10 mijë personat e shurdhër për masat anti-COVID’19

Gati 10 mijë persona që nuk dëgjojnë fare ose kanë vështirësi në dëgjim, kanë mbetur pothuajse të painformuar rreth masave kundër pandemisë COVID-19 që është përhapur në Kosovë prej muajit mars, njofton Insajderi.

Mungesa e interpretit të gjuhës së shenjave në paraqitjet e Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë që personat e shurdhër të ndjehen të diskriminuar. Ata po kërkojnë të kenë qasje në informacione, sidomos në këtë periudhë të pandemisë.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës Kosovare të personave të Shurdhër, Enver Kurtalani thotë se ky komunitet është përballur me vështirësi gjatë gjithë kohës prej kur është përhapur koronavirusi.

“I kemi lajmet që janë në RTK, janë pak, ne kërkojmë që të kemi qasje direkte gjatë paraqitjes së ministrisë. Prej fillimit e deri tash, ministritë ose institucionet përkatëse nuk kanë pasur interpret të gjuhës së shenjave gjatë paraqitjes së tyre…. Edhe tani kur e kemi ligjin anti-covid, personat e shurdhër nuk e dinë, edhe me u dënu, ata nuk e dinë me cilin ligj. Ne jemi munduar si shoqatë me i dhënë informacionet nëpërmjet facebook dhe ëebfaqës sonë, edhe pse kemi pasur vështirësi edhe vet, për të gjitha masat të informojmë komunitetin e shurdhër, mirëpo jo sikurse Ministria që e ka përgjegjësi ose Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që t’i informojë këta 9500 persona”, thotë ai për KP.

Ai thotë se kanë dërguar kërkesa në Ministri të Shëndetësisë, por që nuk kanë marrë ndonjë përgjigje deri më tani. /Insajderi.com