Shteti e la t’i ik burgut – kthimi në Kosovë i mundëson vazhdimin e bizneseve

Shteti e la t’i ik burgut – kthimi në Kosovë i mundëson vazhdimin e bizneseve

Xhabir Zharku tashmë është i lirë dhe është kthyer në Kosovë ku mund të zhvillojë biznesin e tij aty ku e kishte lënë para gjashtë vjet. Zharku ishte kryetar i komunës së Kaçanikut dhe ishte arratisur në Suedi për t’i ikur drejtësisë kosovare.

Zharku i cili ishte pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ishte dënuar me tri vjet burg për shkak të kryerjes së veprave penale “detyrim dhe armëmbajtje pa leje”, shkruan Insajderi.

Këto vepra penale të kryera nga Zharku kishin të bëjnë pikërisht me biznes, ai kishte detyruar disa biznesmenë që të tërhiqen nga një tender privatizimi, në mënyrë që të përfitojë ai dhe miqtë e tij.

Fiks dy vjet Xhelil Suma kishte qenë i kërcënuar me jetë nga grupi i udhëhequr nga Xhabir Zharku, i cili donte që Suma bashkë me partnerin e tij, Shefket Luri të tërhiqeshin nga blerja e një ferme delesh prej 32 hektarësh në fshatin Rakaj të Kaçanikut.

Mirëpo kur Policia e Kosovës kishte bastisur shtëpinë e ish-kreut të Kaçanikut aty kishte gjetur një “mal” me armatim. Një murtajë 88 mm, një mjet shpërthyes, gjashtë karikatorë, një pistoletë të tipit “Zastava”, një pushkë automatike të tipit AK 47, dy armë automatike të tipit MTP 9, sasi të madhe eksplozivi dhe një sasi të konsiderueshme të plumbave.

Të gjithë grupi në krye me Zharkun kishin vepruar në mënyrë të organizuar për të dëmtuar, Shefket Lurin, Xhelil dhe Azem Sumën.

Mirëpo pasi Gjykata Supreme ia kishte konfirmuar dënimin Zharkut në maj të 2012-ës dhe që nga atëherë Zharku shfrytëzoi mirë nënshtetësinë e tij suedeze për t’u arratisur. Kështu, ai kishte arritur të udhëtonte për në Suedi pa asnjë pengesë nga autoritetet e sigurisë në Kosovë.

Ndërsa nwse Zharku nuk kapej nga autoritetet policore kosovare deri në vitin 2018, atëherë ai mund të kthehet në Kosovë dhe të jetojë lirshëm.

Zharku sa kishte qëndruar në arrati ishte ndier mjaftë komod dhe pa frikën se mund të kapet nga autoritetet kosovare.

Në Suedi ai ishte pjesëmarrjes edhe në aktivitete të organizuara nga Qeveria e Kosovës, gjithashtu kishte filluar të merret edhe me promovimin e biznesit të tij.

Para se ish-kryetari i Kaçanikut të arratisej dhe mbante këtë pozitë deklaronte se ka 50 për qind të aksioneve në këtë kompani. Pjesa tjetër i përkiste Sali Selmanit. Xhabir Zharku dhe djali i tij nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me ndërrimin e pronësisë në X-Fort.

Kjo kompani është themeluar në vitin 2000. Merret me prodhimin e materialit ndërtimor që përfshin llaqet, ngjitës për qeramikë, ngjitës për termoizolim, fasadë dekorative minerale etj. /Insajderi.com