Shtyhen për një vit dy ngjarje të mëdha të Kishës Katolike për shkak të koronavirusit

Papa Françesku ka shtyrë me një vit dy ngjarje të mëdha ndërkombëtare të Kishës Katolike, për shkak të paqartësive të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, njoftoi Vatikani të hënën.

Shtyhen për një vit dy ngjarje të mëdha të Kishës Katolike për shkak të koronavirusit

Ndërsa Vatikani dhe Papa kanë shtyrë një numër ngjarjesh dhe udhëtimesh që ishin planifikuar për këtë vit, njoftimi i së hënës ishte hera e parë që pandemia ka ndikuar në planifikimin afatgjatë të Kishës Katolike, me 1.3 miliardë anëtarë.

Takimi Botëror i Familjeve, i cili do të zhvillohej në Romë vitin e ardhshëm, u shty për në vitin 2022. Dita Botërore e Rinisë, e cila ishte caktuar për në vitin 2022 në Lisbonë, u shty deri në vitin 2023.

Të dyja ngjarjet, të cilat zhvillohen në një vendndodhje të ndryshme çdo disa vjet, tërheqin turma të mëdha dhe përfshijnë udhëtime ndërkombëtare nga shumica e pjesëmarrësve. Ato zgjasin për disa ditë dhe Papa tradicionalisht merr pjesë në mbylljen e të dyja aktiviteteve.