Shtyhet ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Posaçme të Supremes

Shtyhet ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Posaçme të Supremes

Edhe njëherë tjetër është parë pafuqia e pushtetit përballë opozitës në Kuvendin e Kosovës.

Kundërshtimi i partive opozitare ka bërë që seanca e jashtëzakonshme e thirrur me propozim të kryeministrit për shqyrtimin e projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të mos bëhej, pavarësisht insistimit të partive në pushtet, raporton KTV.

Shqyrtimi i këtij projektligji nuk arriti të bëhej, por përplasjet mes pushtetit e opozitës për këtë pikë zgjaten rreth dy orë.

Opozitarët thanë se do ta mbështesnin këtë projektligj sikur të ishin vetëm amendamentet, përmes të cilëve do të bëhej zëvendësimi i gjyqtarëve ndërkombëtarë me ata vendës, pas përfundimit të mandatit të EULEX-it, por jo si tërësi, meqë kishin shumë kritika për dokumentin.

Sipas tyre, ky projektligj ka shumë probleme e kryesorja është se reduktohet trupi nga një trup gjykues në një gjykatës të vetëm, që lë mundësi më të madhe dhe më të lehtë për keqpërdorime.

Kryeministri Ramush Haradinaj, duke u munduar t’i bindë deputetët, ka thënë se edhe kjo çështje lidhet me procesin e liberalizimit të vizave.

Kur panë se opozita assesi të pajtohej që seanca ta shqyrtonte me procedura të përshpejtuara këtë projektligj, lutja e kryeministrit ishte që të paktën të diskutohej veç në parim e në leximin e dytë të bëhej gjatë korrikut.

Por, sërish pa mbështetje.

Pushteti doli me propozim që të bëhej një pauzë njëorëshe për ta shqyrtuar projektligjin Komisioni për Legjislacion, por as kjo nuk kaloi.

Pas dy herë tentimit, pushteti mbeti me vetëm 35 vota, derisa opozita nuk mori pjesë fare në votim.

Ndërkohë, pas një marrëveshjeje mes ministrit Tahiri e shefave të Grupeve Parlamentare, u vendos që shqyrtimi i këtij projektligji të shtyhet për datën 9 korrik.