Shtyhet seanca për fyerjen e listave të veteranëve të UÇK-së

Shtyhet seanca për fyerjen e listave të veteranëve të UÇK-së

Është shtyrë seanca në lidhje me aktakuzën për rastin e njohur si “veteranë të rrejshëm”.

Në mungesë të krijimit të kushteve ligjore, gjyqtarja e rastit e ka shtyrë seancën për një datë tjetër.

“Siç po shihni nuk janë krijuar kushtet ligjore për të mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar, gjykata ka paraparë që sot të mbahet seanca, ku do të shqyrtohej kërkesa lidhur me masën e përkohshme e cila është kërkuar nga Prokuroria, për t’a lëshuar në lidhje me sigurimin e kërkesës juridike, kështu që seanca e sotme do të shtyhet për një datë tjetër”, ka thënë gjyqtarja e rastit, shkruan Insajderi.

Nga 12 të akuzuarit dy prej tyre nuk iu janë përgjigjur ftesës së gjykatës. Të pranishëm nuk kanë qenë Rrustem Berisha e as Smajl Elezaj.

Theksojmë se, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët e rrejshëm” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari, janë të akuzuarit të parë nga Prokuroria Speciale.

Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68 milionë 153 mijë e 533 euro e 14 cent./Insajderi.com