Paralizimi i Evropës nga Covid-19, virusit vdekjeprurës që ka pushtuar globin, nuk mund të mos ndikonte edhe në sport.
Për këtë, UEFA ka vendosur dje shtyrjen e Kampionatit Evropian 2020 me një vit, teksa fatura e lartë e këtij vendimi do të mbahet nga top klubet evropiane.
55 federatat anëtare kanë qenë në një mendje, teksa kanë dashur shtyrjen e kampionatit EURO 2020 dhe përfundimin e ligave respektive në shtetet përkatëse.
E gjitha kjo ka një kosto financiare prej 300 milionë eurosh, që sipas mediave evropiane do të bjerë mbi buxhetin e klubeve.
Shtyrja me një vit e EURO 2020 ka sjellë këtë kosto për organizatorët e UEFA-s, që kanë anuluar çdo kontratë, përfshirë edhe ato televizive.
Kompanitë duan dëmshpërblimin e parashikuar dhe të 55 federatat anëtare e kanë ditur një fakt të tillë.
Pesë ligat kryesore të Evropës (Itali, Angli, Gjermani, Francë, Spanjë), të cilat kanë mbajtur peshën e vendimit për shtyrjen e Evropianit, do të duhet të paguajnë edhe pjesën më të madhe të shumës, sepse nëse kampionatet respektive nuk mbylleshin, në buxhetin e tyre do të binte pesha e dëmeve financiare nga të drejtat televizive.