Si do t’i paguajë Kosova avokatët e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, flet Selimi

Si do t’i paguajë Kosova avokatët e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, flet Selimi

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka deklaruar se Kosova e ka për obligim të mbrojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj tha se duhet t’i paguajë avokatët e ish-pjesëtarëve të saj, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë, transmeton Insajderi.

Sipas tij, Kosova tani është shtet më i fortë dhe duhet ta bëjë këtë.

“Shteti ynë është ndërtuar mbi ato vlera dhe parime të UÇK-së, andaj e kemi obligim që ato vlera dhe atë luftë ta mbrojmë institucionalisht. Prandaj, është bërë ai ligj që më obligon mua dhe Ministrinë e Drejtësisë që t’i ndihmojmë të gjithë të akuzuarit potencialë nga Dhomat e Specializuara”, tha Selimi.

Nga ky ligj kanë dalë tri udhëzime administrative që e rregullojnë mënyrën se si mbrohen personat e akuzuar nga Specialja dhe Selimi thotë se në bazë të ligjit ka pranuar edhe disa kërkesa nga mbrojtja, të cilat do të paguhen në tri parametra.

“Ne do t’i shikojmë tarifat e Odës së Avokatëve të Kosovës, do t’i shikojmë tarifat e Odës së Avokatëve të Holandës,dhe do t’i shikojmë tarifat e odave të avokatëve nga shteti prej nga vjen avokati. Këta tre parametër do të jenë të mjaftueshëm që të aprovohet apo të hidhet poshtë kërkesa e këtyre avokatëve. Këtë do ta bëjë një komision i përbërë nga shërbyesit civilë që e kanë kaluar procesin e verifikimit nga AKI dhe që e kanë letrën e shtetit që të punojnë me ato kërkesa”, shtoi ai.

Selimi në Info Magazine tha se si i emëruar politik është më mirë për të që të mos përzihet në çështje të avokatëve dhe këtyre pagesave dhe se e konsideron komisionin profesional që të kryejë këtë punë./Insajderi.com