Si e përsëriti kryeministri Haradinaj letrën e presidentit Thaçi

Si e përsëriti kryeministri Haradinaj letrën e presidentit Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas marrjes së postit të tij, në tetor të vitit të kaluar iu drejtuar Prokurorisë së Shtetit me një kërkesë “të veçantë”.

Ai kishte kërkuar zbardhjen e krimeve, vrasjeve, përdhunimeve dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore e fetare në Kosovë.

Ai kishte përgatitur katër shkresa. Në mesin e këtyre shkresa ishte edhe zbardhja e atentatit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Këto kërkesa presidenti Thaçi i kishte bërë përmes një konference të jashtëzakonshme për media.

“Në letrën e dytë sugjerova krimeve të kryera pas lufte, apo viteve më vonë, vrasja e vëllezërve Bytyqi në vitin 1999, atentati ndaj Presidentit Rugova dhe vrasjet e tjera të pasluftës. Kurse në letrën e tretë kam kërkuar që vëmendje t’i kushtohet dhunimi të vajzave dhe grave gjatë vitit 1999”, ka thënë Thaçi.

Mirëpo prokuroria pati një përgjigje për presidentin. Përmes një njoftimi ajo i bëri të ditur presidentit se në këtë drejtim kanë qenë duke punuar.

“Në këtë drejtim ne tashmë kemi bërë hapa konkret në luftimin e shumë dukurive negative kurse më datë 13.05.2015, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka marrë vendim me të cilin ka themeluar Departamentin për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhej në kumtesë.

Të njëjtën pas një viti e përsërit edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dy muaj pas ardhjes në pushtet.

Haradinaj ju drejtua kryeprokurorit Lumezi me letër duke kërkuar zbardhjen e vrasjeve gjatë dhe pas luftës.

“Kërkoj nga ju që në kuadër të mandatit tuaj, të angazhoni të gjithë mekanizmat për ndriçimin e plotë të vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës, si dhe zbardhjen e secilit rast të pandriçuar të vrasjeve të profilit të lartë qoftë politik apo ushtarak”, thuhet në letrën e dërguar sot nga kryeministri.

Letra e kryeministrit Haradinaj vjen pas shënimit të 18 vjetorit të vrasjes së gazetarit, Xhemajl Mustafa. /Insajderi.com