Si ka ndikuar Pandemia dhe te cili udhëheqës besojnë sot shqiptarët – Publikohet sondazhi

Si ka ndikuar Pandemia dhe te cili udhëheqës besojnë sot shqiptarët – Publikohet sondazhi

Shumica e qytetarëve të Shqipërisë vlerësojnë se trajektorja në të cilën po lëviz vendi nuk është e duhura, për dallim nga viti 2017, kur shumica vlerësonte se rruga nëpër të cilën po lëvizte vendi ishte rruga që duhej ndjekur”.

Ky është rezultati i një sondazhi të realizuar nga Instituti i hulumtimeve “Source” i drejtuar nga Baton Haxhiu, njofton Insajderi.

Qëllimi i këtij sondazhi ishte identifikimi i qëndrimeve dhe perceptimeve të qytetarëve në lidhje me çështjet ekonomike, politike, sociale, por edhe zgjedhjet në Shqipëri. Numri i të anketuarve në sondazh ishte 1021, ndërsa të dhënat dhe opinionet në terren u morën në muajin korrik 2020.

E ndërsa mendojnë se vendi nuk po ecën në drejtimin e duhur, nga analiza e të dhënave dhe përgjigjeve vërehet një lëvizje e ndjeshme e elektoratit nga e majta dhe e djathta drejt qendrës, “por pa ndonjë forcë politikë për t’i mbledhur rreth vetes, për dallim nga trendët europianë, ku nga lëvizjet e elektoratit ka përfituar e djathta” thuhet në sondazh.

Por sa besojnë shqiptarët te politikanët? “Besimi i qytetarëve në politikanë vazhdon të mbetet i ulët, teksa Edi Rama mbetet lideri të cilit shqiptarët i besojnë më shumë, tre herë më shumë se Lulzim Bashës. Edi Rama vazhdon të jetë politikani më i pëlqyer, megjithëse ka pësuar një rënie të lehtë, ndërsa Ilir Meta ka kaluar Lulzim Bashën dhe Sali Berishën(nga matja e vitit 2017) për t’u bërë politikani më i papëlqyer në Shqipëri” thuhet në sondazhin e realizuar.

Gjithashtu nga sondazhi i kryer del se “Partia Socialiste ka përjetuar rënie të ndjeshme në nivelin e pëlqyeshmërisë nga qytetarët, por vazhdon ta ruajë një diferencë solide me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, që po ashtu kanë rënie të këtij treguesi. Rritjen më të madhe në nivelin e mospëlqyeshmërisë qytetare del ta ketë shënuar Lëvizja Socialiste për Integrim” thuhet më tej në konkluzionet e nxjerra.

Shqiptarët janë pyetur konkretisht se si e vlerësojnë punën e liderëve të shtetit? “Shumica e të anketuarve kanë vlerësim pozitiv për punën e Edi Ramës në krye të qeverisë (ka rënie nga viti 2017) dhe po ashtu shumica e tyre e vlerësojnë negativisht punën e Ilir Metës në presidencë dhe Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike(ka rritje nga viti 2017)”.

Pak muaj para zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të ardhshëm nga sondazhi rezulton se PS-ja ka rënie krahasuar me 2017, por ka dyfishin e mbështetjes në raport me PD-në. “Megjithëse ka shënuar rënie nga vitit 2017, Partia Socialiste prin karshi rivalëve(me dyfishin e mbështetjes në raport me PD-në) në skenarin e zgjedhjeve. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim po ashtu regjistrojnë rënie të ndjeshme të mbështetjes qytetare”.

Po ku shkojnë të zhgënjyerit? “Ka një rritje të dukshme të numrit të votuesve të pavendosur, që nuk mund të arsyetohet vetëm përmes distancës kohore të realizimit të matjes me ditën e zgjedhjeve. Në skenarin e zgjedhjes së kryeministrit me votë të drejtpërdrejtë, shumica e votuesve të vendosur zgjedhin Edi Ramën para Lulzim Bashës”.

Në fund qytetarët janë pyetur edhe në lidhje me menaxhimin e pandemisë dhe vlerësimin e punës së qeverisë. “Shumica e qytetarëve e vlerësojnë pozitivisht punën e bërë nga Edi Rama dhe PS-ja në përballjen me pandeminë e shkaktuar nga virusi Sars-Cov2.

 

Përkeqësim në ekonomi e punësim dhe përmirësim në infrastrukturë dhe urbanizëm janë qëndrimet e qytetarëve karshi vitit të fundit të qeverisjes së Partisë Socialiste”./Insajderi.com