Si shpëtuan pa u dënuar dy dhunuesit e Vasfije Krasniqit

Si shpëtuan pa u dënuar dy dhunuesit e Vasfije Krasniqit

Vasfije Krasniqi mbrëmë theu një tabu me të cilën shumë gra në Kosovë vazhdojnë të përballën. Ajo ka rrëfyer dje publikisht se i ishte përdhunuar nga dy serbë: njëri prej tyre polic i regjimit të Slobodan Millosheviqit

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur kur Vasfije Krasniqi i kishte pasur vetëm 16-vjet dhe për këtë rast nuk është  dënuar as sot e kësaj dite askush, raporton Insajderi.

Dy serb ishin akuzuar për përdhunimin e Vasfijes; por që të dy ishin shpallur të pafajshëm. Njëri prej tyre përveç se kishte qenë polic në regjimin e Sllobodan Millosheviqit, kishte shërbyer si polic i Kosovës deri në vitin e kaluar.

Policia e Kosovës e konfirmoi sot për Insajderin se Jovica Dejanoviq, kishte shërbyer si polic në Kosovë për 16 vite.

”Policia e Kosovës konfirmon se personi i apostrofuar; J. D. ka qenë i punësuar në PK nga data 12.02.2001 deri më 15.06.2017, kur edhe iu është shqiptuar masa disiplinore Ndërprerje e mardhënies se punës”, ka konfirmuar për Insajderin, zyra e informimit nga Policia e Kosovës.

Ish-polici i Kosovës ishte akuzuar dhe liruar mbi dyshimet për dhunimin e Vasfije Krasniqit

Sipas një raporti të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), dy polic serbe ishin gjykuar për përdhunimin e Vasfijes si 16-vjeçare. Të dy në fund ishin shpallur të pafajshëm.

Sipas këtij raporti, Jovica Dejanoviq dhe Gjrgje Bojkoviq ishin akuzuar për përdhunimin e Vasfijes. Aktgjykimi ndaj tyre ishte sjellë në shtator të vitit 2014.

“Rasti Dejanoviq dhe Bojkoviq Gjykata Supreme e Kosovës, me panelin me përbërje të përzier me të cilin ka kryesuar gjyqtarja Nesrin Lushta,[156] në datën 30 shtator të vitit 2014, ka sjellë aktgjykimin[157] në lëndën Prokurori kundër Dejanoviqit dhe Bojkoviqit, me të cilën të akuzuarit Jovica Dejanoviq dhe Gjorgje Bojkoviq prapë janë liruar nga akuzat për kryerje të veprës penale të dhunimit si krim i luftës kundër popullatës civile[158]”.

“Ata kanë qenë të akuzuar për dhunim të shqiptares gjashtëmbëdhjetë vjeçare nga Kosova në datën 14 prill të vitit 1999 gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë”, thuhet në atë raport.

Pasi Gjykata Themelore e Mitrovicës i kishte liruar nga akuzat Jovica D. dhe Gjorgje B. në vitin 2014, disa muaj më vonë Gjykata e Apelit i kishte shpallur fajtor dy të dyshuarit.

Mirëpo, Jovica D. dhe Gjorgje B. ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata Supreme e Kosovës, duke e mbyllur kështu rastin.

“Vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës ka pasuar pas seancës së panelit ankimor të kësaj gjykate në shkallën e tretë, në fund të muajit shtator të vitit 2014.

Gjykata me këtë rast i ka shqyrtuar ankesat e të akuzuarve dhe të mbrojtësve të tyre në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës të datës 27 maj të vitit 2014, me të cilën ata (pas aktgjykimit të shkallës së parë dhe lirues të Gjykatës Themelore të Mitrovicës të datës 17 prill të vitit 2013), janë shpallur fajtor për dhunimin si krim të luftës kundër popullatës civile”.

“Me anë të aktgjykimit, Gjykata e Apelit dy të akuzuarve ua kishte shqiptuar dënimet me burgosje. Pas takimit të panelit të mbajtur pas seancës së panelit ankimor të Gjykatës Supreme të Kosovës, të akuzuarit me vendim të veçantë të gjykatës janë liruar nga paraburgimi, i cili iu ishte caktuar me vendim të veçantë të Gjykatës së Apelit dhe i cili ka pasuar pas shqiptimit të dënimit me burgosje”, thuhet më tej në Raportin e FDH-së.

Vasfija, 36-vjeçarja e cila jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara, me lot në sy ka rrëfyer për torturat që kishte përjetuar gjatë luftës si 16-vjeçare.

Rasti, siç tregon ajo, kishte ndodhur në fshatin Babimovc të Vushtrrisë.

“Më 14 prill të vitit 1999 kam qenë në oborr dhe kam hyrë brenda dhe i kam thënë nënës me dalë dikush te dera me qelë derën. Dikush jashtë derës na tha ‘qelne derën’… edhe është dashtë me qelë”, nis rrëfimin, 36-vjeçarja nga Stanovci i Vushtrrisë.

“Ne nuk e dinim nëse kanë hy me na vra apo kanë hy me bastisë, mirëpo ai pyeti se ku e keni babën edhe vëllanë. Nëna i tha që janë në Gjermani, e ai më tha: ‘Jo nuk janë në Gjermani, por kanë shkuar në luftë’”.

“Ai hyri brenda dhe më pastaj më mori mua, më tha se do të shkojmë për të dhënë deklaratë në polici”, tregon Krasniqi-Goodman.

“Ai nuk vazhdoi drejtë ku është stacioni i Policisë, por ka vazhduar në drejtim të Prishtinës. Unë e dija, por se kuptoja se çfarë do të ndodhë me mua sepse unë kam qenë fëmijë, 16-vjeç. Ka ardhur në fshatin Babimovc tek një kishë aty; fshati ka pasur shumë serb”, vijon rrëfimin kosovarja 36-vjeçare.

“Në atë moment unë vetëm doja të vdisja me një plumb edhe kurgjo tjetër. Veç me më vra”, thotë Krasniqi-Goodman me lot në sy./Insajderi.com

Rrëfimi i Vasfije Krasniqit dy dekada pas tmerrit të përjetuar: “Doja vetëm të vdisja me një plumb”