Si tentoi të ikë ushtari i Kim Jong Un

Si tentoi të ikë ushtari i Kim Jong Un

Një ushtar i Koresë së Veriut, i vendosur në zonën e demilitarizuar të ruajtur nën masa të rrepta, mori guximin dhe u arratis nga vendi komunist.

Ai dezertoi duke u larguar për në Korenë e Jugut. Por gjatë tentativës u qëllua dy herë në trup. Lajmi është konfirmuar nga ushtria e Seulit, e cila gjeti ushtarin e plagosur në zonën e sigurisë së përbashkët, 25 minuta pasi kishte ndodhur ngjarja. Tashmë ai është mjekuar në një spital ushtarak për plagët e marra.

“Ushtari kaloi nga postblloku i Koresë së Veriut drejt Shtëpisë Tonë të Lirisë”, shkruhet në një deklaratë të ushtrisë së Koresë së Jugut.

Është e paqartë se cilat janë shkaqet që detyruan ushtarin të arratisej për në Jug. Ushtria e Koresë së Jugut tha se ishte i paarmatosur dhe kishte veshur një uniformë luftarake për një ushtar të rangut të ulët.

Forcat e Seulit, të cilat qëndrojnë përballë atyre të Penianit, bënë me dije se nuk ka pasur konflikt të armatosur pas incidentit.

Por shprehen se janë në gjendje alarmi për një provokim të mundshëm nga Koreja e Veriut.