Si t’i përdorim hurmat në gatim dhe pure të ëmbla?

Si t’i përdorim hurmat në gatim dhe pure të ëmbla?

Në daljen e tyre të parë, provojmë vetëm hurmat me farë! Me kalimin e ditëve, u jemi afruar hurmave të buta (apo të qullëta) që duan pak më tepër kohë të piqen! E keqja e këtyre të fundit është se rezistojnë shumë pak, edhe nëse i mbani në frigorifer! Prandaj, për mos t’i lënë të prishen, edhe kur nuk ju hahen të freskëta, përfshijini nëpër gatime! E para gjë dhe më e thjeshta që mund të bëni, është pureja e hurmave që mund të përdoret më pas për të shoqëruar ëmbëlsira të ndryshme!

Hurma është një frut i pasur në sheqerna, kripëra minerale, vitamina A, B dhe C si dhe aminoacide të rëndësishëm.

Si t’i përdorim?
Që t’i shndërroni menjëherë në pure, hurmat duhet të jenë shumë të buta. Me ndihmën e një luge, merrni vetëm tulin e frutit, pa lëkurë, dhe bashkojini në një enë. Mund t’i shtypni me lugë apo t’i përzieni me mikser që të keni një krem homogjen. Me të mund të shoqëroni kek të llojeve të ndryshëm. Një tjetër përgatitje që mund të rezistojë më gjatë në kohë është pelteja klasike por kjo duhet ta kalojë një fazë gatimi. Veçse, duhet t’i kaurdisni për fare pak minuta, me pak sheqer kaf. Nuk është nevoja të qëndrojnë gjatë në zjarr, si frutat e tjera.