Si u stopua procesi që mund ta shembë “mafinë akademike” në Kosovë

Themelimi me bollëk i universiteteve private pronarët e të cilëve kurrë nuk janë ekzaminuar, pastaj themelimi i universiteteve të tjera publike nga shteti, por pa një analizë nëse ka staf të duhur akademik e deri tek profesorët vendorë e ndërkombëtarë të angazhuar në mënyrë të dyshimtë në këto universitete, kanë prodhuar mijëra studentë me diploma gjithashtu të dyshimta. Krejt ky kaos pritet t'i nënshtrohet një "vettingu" apo ekzaminimi. Por problemet e lindura së fundmi në Agjencinë e Kosovës për Akredim e kanë stopuar këtë proces. E përjashtimi i Kosovës nga EQAR e vë në dyshim nëse ky proces mund të mbyllet me një njohje ndërkombëtare.

Si u stopua procesi që mund ta shembë “mafinë akademike” në Kosovë

Tetë kolegje apo universitete private dhe 140 programe të fakulteteve në insititucionet e arsimit të lartë janë pezulluar brenda dy viteve nga Agjencia e Kosovës për Akreditim. Janë gjetur se mbi 60 profesorë rajonalë janë prezantuar si doktor shkence me angazhim të plotë në universitetet kosovare, në ndërkohë që ata kanë qenë të angazhuar edhe në vendet e tyre, gjithashtu me orar të plotë. Plus ka dyshime të bazuara mbi diplomat e shumë profesorëve të angazhuar në Kosovë.

Insajderi ka gjetur në vendimin e Regjistrit Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (European Quality Assurance Register for Higher Education – EQAR) për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akredimit, se ky proces është stopuar pas shkarkimit të Bordit të AKA-së dhe ka rrezik që Bordi i ri të mos mund ta përfundojë këtë proces pasi EQAR nuk planifikon t’i njohë vendimet e marra nga përbërja e re.

Insajderi me 2 mars raportoi se Kosova u përjashtua nga EQAR, pasi kryeminsitri Ramush Haradinaj e shkarkoi atë “bazuar në disa informacione sekrete në të cilat ai thotë se ka pasur qasje e që inkriminojnë disa nga anëtarët e këtij Bordi”.

“Informacionet sekrete” të kryeminsitrit që quan në përjashtimin e Kosovës nga EQAR

Procesi i “vettingut” apo ekzaminimit të detajuar, mund të rrezikojë mbylljen e shumë universiteteve dhe parasheh të pastrojë listën e profesorëve në programe të ndryshme në universitetet kosovare.

Bëhet fjalë për Standartet dhe Udhëzimin e ri të AKA-së, që lidhet direkt me ekzaminimin e stafit akademik në programet veçse të akredituara të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë.

Ky proces kishte nisur qysh në vitin 2016 dhe ishte miratuar në mbledhjen e fundit të Bordit e mbajtur më 22 shtator të vitit të kaluar, pesë ditë para se kryeministri Haradinaj të kërkonte shkarkimin e tij.

Por në letrën që ish-kryetari i shkarkuar i Bordit të AKA-së, Blerim Rexha, ia kishte dërguar EQAR-it tregohet se vendimi për shkarkimin e Bordit ka stopuar këtë proces, raporton Insajderi.

“Me këtë manual të ri të standarteve dhe udhëzimeve të Agjencisë parashihet rishikimi ose ekzaminimi i anëtarëve akademikë kombëtarë, pronarët e institucioneve të arsimit të lartë, përfaqësuesit e studentëve dhe ekspertët ndërkombëtarë. Dokumenti i tillë ka qenë i miratuar nga Bordi në mbledhjen e mbajtur më 22 shtator 2017, megjithatë nuk kemi mundur të shkojmë në konsultim publik për shkak të vendimit të kryeministrit”, shkruan Rexha në letrën e tij.

      Profesorët dhe universitetet mashtruese – pjesë e këtij ekzaminimi

Agjencia e Kosovës për Akreditim në vendimin e saj thotë se ka identifikuar 82 persona, shtetas të huaj, me gradë akademike Doktor Shkence (PhD) të cilët janë të paraqitur në Kosovë si staf i rregullt akademik por që kanë marrëdhënie të rregullt të punës edhe në shtetet e tyre të origjinës, ani pse të njejtit më parë kanë sjellë dëshmi për mos-angazhimin e tyre në marrëdhënie pune në vendet e tyre të origjinës.

Për të parë të gjitha vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Akredimit të Kosovës, për pezullimin e akredimit të programeve të studimit të cilat kanë mungesë të stafit akademik, klikoni këtu.

Sipas vendimit të AKA-së, thuhet se ata kanë kontaktuar me institucionet e identifikuara në shtetet e origjinës për shtetasit e huaj duke u drejtuar kërkesë për informatë nëse stafi i njëjtë është i angazhuar në të njëjtën kohë edhe në institucionet e tyre si staf i rregullt.

“Deri në këtë fazë, AKA në kërkesën për informata lidhur me angazhimin e këtij stafi akademik, ka pranuar përgjigje për 65 persona dhe është në pritje të përgjigjes edhe për 17 persona të tjerë. Nga përgjigjet zyrtare që AKA ka pranuar rezulton se 48 persona të paraqitur si staf i rregullt akademik në Institcionet e Arsimit të Lartë Kosovë, në të njëjtën kohë kanë marrëdhënie të rregullt pune edhe në vendet e tyre të origjinës, jashtë Kosovës. Prej këtyre personave 35 janë të angazhuar në Institucione të Arsimit të Lartë ose institucione tjera në Republikën e Maqedonisë dhe 13 prej tyre në Republikën e Shqipërisë. Për 17 është konfirmuar që nuk kanë angazhim të rregullt në shtetet e tyre të origjinës”, thuhet në vendimin e AKA-së, raporton Insajderi.

AKA thotë se ka vërtetuar se 48 persona kanë dorëzuar deklarim të rremë në AKA për qëllime të akreditimit të programeve të studimit dhe kjo paraqet shkelje serioze të dispozitave ligjore në fuqi në Kosovë.

Por në ndërkohë, AKA-ja ka pranuar dokumentacion të ri të stafit me shtetësi të huaj (28 dosje të reja) dhe është në proces të njejtë të verifikimit të tyre.

“AKA është në proces të verifikimit dhe me rastin e pranimit të konfirmimeve do t’i paraqesë dëshmitë në mbledhjen e radhës së KSHC-së. Deri në atë kohë, KSHC nuk do të pranojë asnjë staf të ri akademik me nënshtetësi të huaj si të rregullt, përkatësisht bartës të programeve të studimit në asnjë nga IAL-të në Kosovë”, thuhet në vendimin e AKA-së.

Por krejt ky proces tashmë është në pauzë, pasi Kuvendi i Kosovës ende nuk ka miratuar Bordin e ri të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim. Qeveria Haradinaj ka emëruar të tjerë njerëz në këtë Këshill, edhe pse drejtori i EQAR-it, Colin Tuck tha në një intervistë për Insajderin se vendimet ose veprimet e marra nga përbërja e re bordit që është emëruar nga Qeveria, nuk do të njihen nga EQAR.

“Siç është theksuar në vendimin tonë, AKA është përjashtuar që nga data 25/9/2017, pasi ne konsiderojmë se me shkarkimin e Bordit , po atë ditë ka humbur aftësia e AKA-së për të vepruar në mënyrë të pavarur”, tha Tuck për Insajderin.

Drejtori i EQAR-it thotë se përjashtimi i Kosovës do t’i izolojë studentët kosovarë

Për mënyrën e përzgjedhjes së Bordit të ri të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Qeveria e Ramush Haradinajt, ka shprehur shqetësimet edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj Agjencie. Më 18 nëntor, Bekim Samadraxha i cili mori detyrën pas shkarkimeve që i bëri Haradinaj Bordit dhe drejtorit, i kishte dëguar letër Colin Tuck, duke i shprehur shqetësimet për “mënyrën e emërimeve pasi ka pasur mungesë të transparencës, për çka ministri i Arsimit nuk i ka dhënë asnjë informacion AKA-së”.

Kësisoj vihet në dyshim nëse AKA-ja do të jetë në gjendje ta fillojë dhe mbarojë procesin e ekzaminimit të stafit akademik dhe pronarëve të universiteteve private bashkë me përfaqësuesit e studentëve, me një njohje të EQAR-it./Insajderi.com