Si u zbulua 29 vjeçari me 3 emra për vrasjen e shokut të tij

Si u zbulua 29 vjeçari me 3 emra për vrasjen e shokut të tij

Policia e Tiranës deklaroi dje se ka arritur të dokumentojë me prova ligjore vrasjen e 28-vjeçarit Vilson Tafçiu, në zonën e “Astirit”, madje ka shpallur në kërkim si të dyshuar shokun e tij.

Bëhet fjalë për një 29-vjeçar nga Dibra, që ka përdorur tri identitete të ndryshme dhe kishte qëndruar bashkë me viktimën në Francë e në Belgjikë, derisa Tafçiu u arrestua e më pas u deportua në Shqipëri. Policia thotë se nga hetimet e deritanishme, vrasja dyshohet të ketë ndodhur pas një sherri të çastit mes viktimës dhe autorit të dyshuar.

Burime nga grupi hetimor thanë se i dyshuari është shtetasi Noel Dishi, i cili ka njohje me viktimën. Identifikimi i tij si i dyshuar është bërë nga deklarimet e dëshmitarëve, por edhe këqyrja e kamerave të sigurisë, që po ashtu kanë fiksuar edhe një automjet që është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, menjëherë pas vrasjes. Të njëjtat burime thanë se është ushtruar kontroll në banesën e këtij personi, por ai nuk është gjetur aty, gjë që ka shtuar edhe më shumë dyshimet e Policisë për përfshirjen e tij në krim.

Grupi hetimor ka dyshime se vrasja e të riut nga Dibra mund të ketë ndodhur për shkak të prishjes së ndonjë pazari nga shitja e lëndëve narkotike, aktivitet për të cilin ai ishte dënuar në Francë, por që ka dyshime se mund ta ketë vazhduar edhe pas deportimit në Shqipëri.

Rreth orës 20:45 të së hënës, Vilson Tafçiu ka qenë duke pirë kafe me dy vajza në një prej lokaleve më të frekuentuara në zonën e “Astirit”, në Unazën e Re, në Tiranë. Në atë kohë, brenda lokalit është futur një person, i cili është drejtuar te tavolina dhe i ka kërkuar 28- vjeçarit që të dilte për pak sekonda jashtë me të, pasi do të sqaronte diçka. Të paktën siç kanë deklaruar dy vajzat që e kanë parë personin e dyshuar, nga mënyra se si kanë komunikuar dy të rinjtë, dukej që kishte një njohje të mëparshme mes tyre.

Tafçiu është ngritur nga tavolina dhe ka dalë jashtë bashkë me personin që e kërkoi. Të dy kanë kaluar në anë të lokalit, pranë një rrugice dhe brenda pak sekondash, ai është qëlluar me armë zjarri, raporton Lapsi.al.

Sipas të dhënave që ka verifikuar grupi hetimor, Vilson Tafçiu rezulton të jetë larguar nga Shqipëria më 7 mars të vitit 2018 dhe ka qëndruar në Francë. Atje është arrestuar disa ditë më pas, konkretisht më 12 mars 2018, pasi u kap duke shpërndarë lëndë narkotike. Drejtësia franceze e ka dënuar me një vit heqje lirie, por pasi ka qëndruar 8 muaj në paraburgim, është vendosur që të deportohet në Shqipëri.