Siguria e medieve – gazetarët drejt armatosjes së detyrueshme

Siguria e medieve – gazetarët drejt armatosjes së detyrueshme

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar sot tryezë diskutimi me rastin e ditës ndërkombëtarë për t’i dhënë fund mosndëshkimeve për krimet kundër gazetarëve. Në këtë tryezë u theksua klima e krijuar në Kosovë për të kërcënuar dhe sulmuar fizikisht gazetarët.

Në këtë tryezë po ashtu u theksua dënimet minimale ku u cilësuan si qesharake të sulmuesve të gazetarëve, dënime të cila u konsideruan si shtytje për kërcënime dhe sulme ndaj gazetarëve, shkruan Insajderi.

Harlem Desir, Përfaqësues i OSBE-së për lirinë e medias përmes një video mesazhit ka kujtuar gazetarët që janë vrarë ku ka thënë se mosndëshkimi i kryerësve të këtyre veprave është një shtytje për më shumë dhunë.

“Pothuajse 220 gazetarët janë vrarë në rajonin e OSBE-së që nga viti 1997. Vetëm në vitin 2017 janë vrarë së paku 4 gazetarë. Sot e mendoj në veçanti për Daphne Caruana Galizia, e cila u vra vetëm dy javë më parë. Gjithashtu mendoj për Pavel Sheremet, i vrarë vitin e kaluar në Ukrainë. Mosndëshkimi është leje për më shumë dhunë dhe pasiguri. Është betejë në cilën në të gjithë duhet të marrim pjesë, çdo ditë dhe kudo”, ka thënë Desir.

Kryeredaktori i Gazetës Online Insajderi, Vehbi Kajtazi, i cili është sulmuar fizikisht muaj më parë, në këtë tryezë ka shprehur shqetësimin e tij për sigurinë e gazetarëve. Kërkesa e tij ka qenë që të ketë siguri për gazetarët.

“Përderisa mediat janë duke e kryer punën e tyre, puna e tyre shpërblehet me kërcënime dhe sulme nga grupe të interesit parti politike apo edhe individë. Që nga koha kur unë jam gazetar nuk është duke u përmirësuar kjo gjendje, ajo vetëm sa po shkon duke u përkeqësuar”.

“Dy drejtorët e Insajderit janë sulmuar, sulmuesi ime është në burg, ndërsa sulmuesit e Ollurit mbetën në liri. Kërkesa ime e vetme është të na krijohet siguri dhe të mos e kemi ndjenjën se do të na sulmojnë në kafene në punë, në shpi dhe kudo tjetër. Dhe kjo besoj se nuk do të ndodhë asnjëherë derisa partitë politike nuk heqin dorë nga këta persona”, ka thënë Kajtazi.

Beslim Kelmendi, Prokuror nga Prokuroria e Kosovës, i angazhuar me rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, ka shprehur shqetësimin e tij për sulmet ndaj gazetarëve. Në veçanti ka shprehur shqetësimin për sulmin ndaj Drejtorit të Insajderit, Parim Olluri, sulmuesit e të cilit nuk janë kapur asnjëherë.

“Me të marrë këtë post e kam parë se ka shumë raste të sulmeve, por kam vërejte se ka edhe masa por gjykata besoj që duhet ti shikoj këto dënime edhe një herë. Ka në disa raste siç sic është ai i Ollurit, për të cilin rast ka incizime ka foto ka dëshmi pse nuk merren masa, me të vërtetë nuk e kuptoj. Ne e dimë që ka edhe persona të huaj që vinë për te sulmuar”, ka thënë Kelmendi.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tregoi për shifrat shqetësues për sulmet ndaj gazetarëve. Vetëm gjatë tetë muajve të parë të këtij viti kanë ndodhur 21 sulme ndaj gazetarëve.

“Mbeten shumë shqetësues shifrat ndaj kërcënimeve të gazetarëve, 21 raste janë lajmëruar vetëm për 8 muaj mbetët shumë shqetësuese statistikat e tilla. Policia e Kosovës në bazë të kapaciteteve të saj ka detyrë ta ruajtur sigurinë e gazetarëve dhe ju premtoj që si polici do ta kryejmë punën tonë drejt ashtu siç kërkohet”, ka thënë Kelani.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkelqim Hysnaj, tha se problematika kryesore sa i takon sigurisë së gazetarëve është situata e krijuar nga politikanët dhe partitë, përderisa theksoi dy sulmet fizike ndaj dy drejtorëve të Insajderit.

“Problematika tjetër është te politikanët dhe partitë politike që ka është krijuar një situatë që gazetarët janë në rrezik dhe në këtë vit po vërtetohet. Dy sulme kanë ndodhur brenda vitit, ndaj rastit të Ollurit nuk ka asnjë të arrestuar dhe kjo me të vërtetë është shqetësuese”.

“Është krijuar klima në vend që mund ta sulmosh një gazetar dhe nuk dënohen apo pas 5 vitesh dënohen me gjobë prej 300 euro një politik dënuese demotivuese. Sepse nuk ka problem për askënd shuma prej 300 euro”, ka Hysenaj.

Dy nëntori shënon Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Mosndëshkueshmërisë për Krimet ndaj Gazetarëve. Efektet që mosndëshkueshmëria shkakton zakonisht tek gazetarët frikë ku me kalimin e kohës ndikojnë në produktivitetin dhe guximin e gazetarëve për të kryer punën e tyre në nivel të kënaqshëm./Insajderi.com