Simmons raporton në Kuvendin e Kosovës për “skandalet” e EULEX-it

Simmons raporton në Kuvendin e Kosovës për “skandalet” e EULEX-it

Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it në Kosovës, Malcolm Simmons, do të raportojë sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, njofton Insajderi.

Me anë të një video-lidhje, Simmons do të raportojë lidhur me pretendimet e tij për skandalet e këtij misioni të BE-së në Kosovë, përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave dhe ndikimet te dëshmitarët.

Raportimi i tij do të bëhet para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës, raportimi pritet të nis nga ora 10:00.

Kjo ftesë për Simmons u bë pak ditë pasi ai tha se i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti një dokument 25-faqësh se si prokurorët e EULEX-it ia kishin dërguar dosjet e krimeve të luftës, autoriteteve të Serbisë, por që të njëjtit edhe kishin udhëtuar disa herë drejt shtetit serb.

“Para caktimit tim si Kryetar të gjyqtarëve te EULEX-it unë kam qenë dijeni për diskutimet brenda EULEX-it në lidhje me transferimin e dosjeve tek autoritetet prokuroriale të Serbisë. Këtu janë përfshirë dosjet e EULEX-it të marra nga UNMIK-u. Unë gjithashtu kam qenë në dijeni për bisedimet e vazhdueshme ndërmjet prokurorëve të EULEX-it dhe prokurorëve të Serbisë. Në të vërtetë prokurorët e EULEX-it kanë udhëtuar në Serbi në shumë raste për t’i diskutuar lëndët me prokurorët e Serbisë”, shkruan Simmons.

“Kur u bëra kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it më 2014, zbulova që me dhjetëra dosje të krimeve të luftës u ishin dorëzuar autoriteteve prokuroriale në Serbi. Kishte hetime lidhur me mizoritë e pretenduara të kryera nga personat e përkatësisë etnike serbe gjatë konfliktit”, thuhet më tej në letrën e tij dërguar Kurtit. /Insajderi.com