Sindikata e Policisë nis paditë ndaj qeverisë për mosplotësimin e kërkesave të tyre

Sindikata e Policisë nis paditë ndaj qeverisë për mosplotësimin e kërkesave të tyre

Qindra zyrtarë policorë kanë nisur paditë nga Qeverisë së Kosovës pasi po ndihen të diskriminuar, transmeton Insajderi.

Ata po kërkojnë pagën e tyre jubilare, të 13-tën dhe shujtën ditore që sipas tyre u janë premtuar nga qeveria e kaluar dhe i kanë të garantuara me ligj.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli, i cili ka thënë se paditë kanë filluar tash e dy muaj.

“Tani kanë filluar policia që të bëjnë ankesat, apo paditë në gjyq në regjione të ndryshme. Kjo padi ka filluar që dy muaj, me kërkesën e punonjësve të PK-së, ne si sindikatë jemi detyruar që të bisedojmë me disa avokatë dhe kanë marrë përsipër dy avokatë që të marrin ankesën për rrogën e 13, për shujtën dhe për rrogën jubilare. Në bisedime jemi të përditshme me avokatin dhe PK është në vazhdimësi të këtyre kërkesave. Ende ne nuk kemi takim me ministrin Sveçla”, ka thënë ai për KP.

Tasholli ka bërë të ditur se nëse zotohet ministri dhe kryeministri që rroga e 13-të dhe shujta hynë në fuqi, ata mund të tërhiqen nga padia./Insajderi.com