Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka kërkuar nga kryeministri Kurti që sindikata të ketë përfaqësues të saj në nivel të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e parave.

Sipas Azemit, sindikata duhet të di specifikisht se këto mjete për cilat kategori ndahen, në mënyrë që të munden ti informohen punëtorët pasi që punëtorët janë duke bërë trysni  lidhur me ndarjen e këtyre mjeteve.

“Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës mirëpret propozimin e ministrit te financave për ndarjen e mjeteve për sektorin privat dhe inkurajon që sa më shpejt ta bëjë ndarjen e këtyre mjeteve me qëllim të zbutjes së gjendjes që po mbretëron në Kosovë. Meqë këto mjete kanë të bëjnë në shumicën e rasteve për pagat e punëtorëve atëherë sindikata kërkon që ta ketë përfaqësuesin e vet në nivel të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve.

Po ashtu dhe në çdo kompani mjetet të ndahen në bashkëpunim me Sindikatën pasi që ato dedikohen për punëtorë. Ne kërkojmë nga Qeveria që të dimë specifikisht se këto mjete për cilat kategori ndahen që të mundemi ti informojmë punëtorët pasi që punëtorët janë duke bërë trysni tek ne lidhur me ndarjen e këtyre mjeteve e ne jemi të pa informuar. Me qëllim te mos keqpërdorimit të këtyre mjeteve ne duam të jemi akterë të barabartë në këtë proces pasi që këto mjete kanë destinacion pagat e punëtorëve në sektor privat”, ka shkruar Azemi.