Sistemi i blerjes së biletave edhe sot jashtë funksionit

Sistemi i blerjes së biletave edhe sot jashtë funksionit

Sistemi i blerjes së biletave ka mbetur i bllokuar prej ditës së djeshme në orën 16:00.

Ky sistem i menaxhuar nga kompania Tiks. App nuk po u lejon qasje qytetarëve as në mëngjesin e ditës së sotme për t’i blerë biletat për ndeshjen e rëndësishme kualifikuese, që zhvillohet të dielën në Prishtinë mes Kosovës dhe Anglisë.

Në momentin e kyçjes në faqe pas hyrjes në sistem shfaqet një njoftim në gjuhën shqipe dhe angleze se sajti ka probleme teknike ndërkohë që nuk bëhet e ditur se kur do të funksionalizohet faqja dhe rrejdhimisht kur të interesuarit e shumtë mund të aplikojnë për blerjen e biletave.

Mbrëmë kompania e kontraktuar nga Federata e Futbollit të Kosovës për menaxhimin e biletave ka bërë dy njoftime kontradiktore lidhur me problemet në sistemin online.

Fillimisht kompania njoftoi se sistemi ka rënë për shkak të mbingarkesës që është bërë si rrjedhojë e interesimit të madh për ta parë këtë ndeshje ndërsa në njoftimin e dytë disa orë më pas, drejtuesit e Tiks.app njoftuan se faqja ka qenë e sulmuar.