S’ka kuorum për të miratuar rezolutën për të pagjeturit dhe projektligjet tjera

S’ka kuorum për të miratuar rezolutën për të pagjeturit dhe projektligjet tjera

Ka dështuar të miratohet propozim-rezoluta e Lëvizjes Vetëvendosje për personat e pagjetur, njofton Insajderi.

Në mungesë kuorumi, vetëm 31 deputetë të kësaj partie kanë votuar pro këtij projekt-rezolute, ndërsa grupet e tjera parlamentare janë përmbajtur nga votimi.

Përveç kësaj, deputetët dështuan të miratojnë edhe të gjitha projektligjet tjera që ishin në rend të ditës.

Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu edhe nga foltorja e Kuvendit kërkoi shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanajt për deklaratat e tij për të pagjeturit.

Në mungesë të kuorumit nuk u miratuan në parim Projektligji për të drejtën ndërkombëtare private, ai për Këshillim Ekonomiko-Social, Inspektoratin e Punës.

Krahas këtyre nuk pati vota as për Projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike dhe Projektligjin për plotësim-ndryshimet e Ligjit për zgjedhje.

Deputetët në mbledhjen e sotme i vazhduan edhe për tre muaj mandatin Komisionit Hetimor për Hidrocentrale mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Kosovë. /Insajderi.com