Gojart Shaqiri, pronari i “Aztech” njëherësh edhe djali i këngëtarit Ilir Shaqiri, është liruar në mënyrë të dyshimtë nga Prokuroria në Pejë, mbrëmë nga ndalimi 48 orësh që i është shqiptuar.
Burime nga kjo Prokurori, i kanë thënë Gazetës Insajderi, se Gojart Shaqiri është liruar me urdhër të lartë, që nënkupton me urdhër politik.
Sipas këtyre burimeve, ai është liruar në 12:30 pas mesnatës ani pse ka qenë i ndaluar 48 orë.
Kjo është hera e parë që dikush lirohet në këtë kohë, ka thënë burimi i Insajderit.
Në lidhje me këtë, Gazeta Insajderi, ka dërguar pyetje në Prokurorinë e Pejës.
Ata duke shmangur një shpjegim për Insajderin, kanë thënë se i dyshuari është liruar pasi që urdhëresat e Ministrisë së Ekonomisë (MEPTINIS) janë kundërthënëse mes vete.
“Lidhur me rasti në fjalë ju njoftojmë se fillimisht nga prokurorja kujdestare e Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Pejës është ndaluar i dyshuari G.Sh, nën dyshimin se kishte për të kryer veprën penale “Mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë” nga neni 250 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës pas vlerësimit të urdhëresës të lëshuara nga MEPTINIS, me datën 20.03.2020 me nr. ref. 01/04, sa i përket pikave 3 dhe 11 të kësaj urdhërese, kemi konstatuar se të njëjtat janë kundërthënëse në mes vete sa i përket veprimtarive tregtare dhe shërbyese e që në rastin konkret edhe tek dyqani i të dyshuarit nëse hyn në kuadër të kësaj kategorie, e të cilat gjithnjë sipas urdhëresës në fjalë, në përputhje me pikën 11 të saj janë lejuar të ushtrojnë veprimtaritë e tyre duke i zbatuar masat mbrojtëse nga pikat në këtë urdhëresë”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Shkodran Nikçi.
Sipas, Nikçit, i dyshuari (Gojart Shaqiri) më pas me autorizim për lirim nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës është liruar në procedurë të rregullt.
“Kjo për faktin se kemi konfuzitet në mes dispozitave të përshkruara si më lart dhe duke u bazuar në parimin in dubio pro reo dhe me qëllim që eventualisht të mos shkelen të drejtat e të dyshuarit, kjo rrethanë në këtë fazë është interpretuar në favor të të dyshuarit dhe referuar edhe urdhëresës së ministrisë në fjalë, e cili është nxjerr me datën 23.03.2020, pak para lirimit të dyshuarit nga ndalimi kemi ardhur në përfundim që të gjitha ndalimet në raport me veprimtaritë e tilla tregtare deri me këtë datë kanë qenë të lejuara”, është shprehur Nikçi.
Gojart Shaqiri është arrestuar mbrëmë për mosrespektim të dispozitave që parasheh legjislacioni i Kosovës për mbrojtje nga koronavirusi (COVID-19)./ Insajderi.com
Lexo edhe:
Arrestohet djali i Ilir Shaqirit – shkeli vendimin e qeverisë kundër koronavirusit